
Sveçla reagon pas mbylljes së tri pompave të benzinës në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së tri pompave të benzinës në veri. Ai ka thënë se pompat e mbyllura “Nis Petrol” janë damar i Gazpromit rus dhe se nuk ka vend në Kosovë. Ministri shtoi se keqpërdoruesit do të ballafaqohen me ligjin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se “krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite”.
“Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë.
Ai ka thënë se Policia i ka asistuar AKP’së në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok pas informacioneve që ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve që i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Kosovës.
“Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.”
“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës.”
(Kosova Sot Online)