Zbulohet arsyeja pse u arrestua sot mjeku popullor ‘Nazmi Bio Mulaku’
Nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“dhe “Mashtrimi”, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se në Vushtrri janë arrestuar dy persona, N.M dhe P.I, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Bëhet fjalë për Nazmi Mulakun, që njihet si ‘Nazmi Bio Mulaku” i cili në rrjetet e tij sociale pretendon se është mjek popullor dhe se shëron disa sëmundje.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se janë arrestuar në Vushtrri dy persona me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ nga neni 256 i KPRK dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Të dyshuarit janë në ndalim 48 orësh dhe gjatë ditës së sotme Prokuroria do t’ia paraqesë gjykatës kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
“Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, dhe gjatë ditës së sotme (16 korrik) Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të i paraqesë Gjykatës Themelore – Dega Vushtrri kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.”
(Kosova Sot Online)