Për rezultatet e regjistrimit të popullsisë ASK është përballur me kritika

  • A.P /
  • 16 July 2024 - 19:38
Për rezultatet e regjistrimit të popullsisë ASK është përballur me kritika

Agjencia e Statistikave të Kosovës është përballur me kritika këto ditë për  rezultatet e regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Të dhënat që u prezantuan, ndonëse vetëm preliminare, janë konsideruar si të pakta, meqë nuk u përfshinë as ato për përkatësinë etnike e religjionin. ASK atë ditë nuk prezantoi as ndonjë rezultat mbi punësimin e papunësinë. Disa të dhëna për këtë i ka të publikuara në faqen zyrtare, mirëpo ato janë për tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

 

10.6 është shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2023. Si persona të papunësuar figurojnë 51 mijë e 219, pjesa më e madhe gra.

“Shkalla e papunësisë ishte 10.6% (-0.2%) më e ulët sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se shkalla e joaktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë, ndonëse janë gati 37 mijë persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Si persona joaktiv, që nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë, figurojnë gati 700 mijë persona.

“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë (59.1 %) më e ulët (-2.0%), krahasuar me në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 75.2 %, krahasuar me meshkujt, 42.0 %”, thuhet në raport.

Ndërkohë si persona aktiv (që kërkojnë punë) janë të regjistruar mbi 483 mijë. Pavarësisht kësaj shifre, muajve të fundit ka shumë ankesa nga bizneset në vend për mungesë të puntorëve, sidomos pas liberalizimit të vizave.


(Kosova Sot Online)