Serbët në veri nuk paguajnë tatim në pronë e as për leje ndërtimi

  • E.k /
  • 17 July 2024 - 07:55
Serbët në veri nuk paguajnë tatim në pronë e as për leje ndërtimi

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq nuk paguajnë tatim në pronë, për lejet e ndërtimit dhe për shfrytëzimin e hapësirave publike.

Kjo është vetëm një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Audimit për katër komunat veriore me shumicë serbe që tashmë drejtohen nga kryetarët shqiptarë e që po dëmton buxhetet komunale në realizimin e projekteve të ndryshme.

“Në përgjithësi kjo dëmton efektivitetin dhe efikasitetin e organizatës, pra të këtyre katër komunave, duke ndikuar negativisht në buxhetin dhe aftësinë për financimin e projekteve si dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve”, tha Agron Fetiu, Përgjegjës për Auditimin e Komunave, ZKA.

Auditori kërkon që situata të ndryshojë dhe të respektohet ligji, njëjtë sikurse edhe për një gjetje tjetër e që është ajo për angazhimin e zyrtarëve komunalë.

“Është dhënë rekomandim që të respektohet rregullativa ligjore me qëllim të mbledhjes së të hyrave pastaj kemi të bëjmë edhe me angazhimin e gjithë zyrtarëve komunalë të shkohet në përputhje me ligjin, me zbatimin e procedurave të prokurorimit publik për shërbime specifike apo të veçanta”, shtoi ai.

Një tjetër gjetje është ajo që për zyrtarët në këto katër komuna nuk ka të dhëna për vijueshmërinë në punë duke rekomanduar që të ketë lista të plota për vajtje-ardhje.

Në mungesë të këtyre të dhënave, ZKA thotë se nuk ka bërë auditim nëse punonjësit kanë qenë në vendin e punës.

“Kemi vërejtur që mungojnë dëshmitë mbi vijueshmërinë në punë ndërsa në aspektin e kalkulimeve apo disa të tjera, në këtë fazë, nuk kemi mundur të kryejmë auditimin për këtë çështje për arsye të rrethanave që janë të pafavorshme në katër komunat veriore”, tha ai.

Auditori ka vërejtje për këto komuna edhe për çështjen e regjistrimit të pasurive në pasqyrat financiare që ndikon në llogaridhënie dhe transparencë, për zotim të mjeteve pas pranimit të faturave si dhe në tri prej katër komunave mungon njësiti i brendshëm i auditimit.

Për shkak të situatës së tensionuar, vitin e kaluar ZKA nuk kishte kryer auditime në këto katër komuna

(Kosova Sot Online)