Shkaku i zjarreve mbyllet një pikëkalim në këtë vend

  • A.P /
  • 17 July 2024 - 16:45
Shkaku i zjarreve mbyllet një pikëkalim në këtë vend

Një pikëkalim i rëndësishëm kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që shfrytëzohet nga turistët, u mbyll të mërkurën, më 17 korrik, për shkak të zjarreve aty pranë, thanë zyrtarët,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar mbylljen e pikëkalimit mes fshatit maqedonas të Bogorodicës dhe atij grek të Evzonit.

Ky pikëkalim përdoret shumë nga turistët që udhëtojnë me vetura për në Greqi. Sipas të dhënave publike në Maqedoninë e Veriut, këtë pikëkalim e përdorin deri në 20.000 persona në ditë gjatë sezonit të verës.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë drejt kufirit deri në njoftimin se zjarri është shuar dhe trafiku është normalizuar”, tha ministria përmes një njoftimi.

Departamenti i zjarrfikësve në Greqi tha se 39 zjarrfikës, 13 zjarrfikëse dhe një helikopter janë mobilizuar për të shuar zjarret.

Mediat lokale kanë raportuar se zona është ngufatur me tym, teksa dhjetëra makina duket se janë bllokuar në pjesën maqedonase të kufirit.

Maqedonia e Veriut u përball me një sërë vatrash zjarri javën e kaluar pasi vendi po përballet me temperatura që kanë shkuar mbi 40 gradë Celsius.

Gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë të mbajtur gjatë fundjavës, zyrtarët në Maqedoninë e Veriut shpallën gjendje krize – por, jo gjendje emergjente – për shkak të “rritjes së shpërthimeve të zjarreve”.

Gjendja e krizës shpallet kur publiku dhe pronat përballen me rreziqe që mund të kërkojnë që Qeveria të përdorë burime të mëdha për t’i eliminuar këto rreziqe.

Qeveria maqedonase ka miratuar dislokimin e policisë dhe ushtrisë për luftimin e zjarreve.

Ekspertët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po shkaktojnë gjithnjë e më shpesh zjarre dhe fatkeqësi të tjera natyrore, përfshirë valë të nxehtësisë.

(Kosova Sot Online)