
Borell del me apel për Kosovën e Serbinë

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të mërkurën ka pritur në takim Marko Gjuriqin, ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Më pas, Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë të qëndrimit të Borellit, ku kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të përfundojnë pa vonesa zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që cilësohet ligjërisht e detyrueshme nga BE-ja.
Borrell citohet të ketë thënë se prioritet kryesor mbetet përparimi në zbatimin e marrëveshjes.
“BE-ja pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mirëbesim dhe me frymën e kompromisit, dhe ta përfundojnë atë pa vonesë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me acquis të BE-së dhe ligjin ndërkombëtar. Prioriteti kryesor është të përparojnë me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të marrëdhënieve”, citohet Borrell.
Më tutje, ai i ka thënë Gjuriqit se “rruga e Serbsië drejt BE-së kalon ka dialogu”.
Zyrtarë perëndimorë shpesh dialogun Kosovë-Serbi e kanë cilësuar në gjendje ngërçi, pasi një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 dhe aneksi i Ohrit më pas nuk është zbatuar.
Beogradi zyrtar insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës thonë se nuk mund të shmangin gjashtë pikat e marrëveshjes e të shkojnë direkt në pikën e shtatë.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se janë për marrëveshjen e Brukselit, ndonëse nënshkrim më pas në Ohër nuk ka pasur.
Gjithë kjo situatë ka fokus tryezën e Brukselit e cila viteve të fundit rrallë ka ballafaquar në atë tavolinë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e presidentin e Serbisë, përcillet edhe me zhvillime nga veriu i Kosovës.
Vitin e kaluar, më 24 shtator, një sulm terrorist ndodhi në veriun e Kosovës ku mbeti i vrarë një polic, Afrim Bunjaku.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë alarmuar se situata në veri mund të eskalojë për shkak të kërcënimeve nga Serbia.
Ndërkohë, zyrtarë perëndimorë thonë se rruga e vetme për tejkalimin e situatës është dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
(Kosova Sot Online)