Rreziku nga zjarret si pasojë e temperaturave të larta në Kosovë
Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shkaktuar vatra zjarresh në shumë vende të rajonit. Ndërsa në vendin tonë deri më tani nuk është regjistruar ndonjë rast zjarri, megjithëse rreziku nuk përjashtohet.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, thotë se muajt korrik, gusht dhe fillimi i shtatorit janë me rrezikshmërinë më të lartë për përhapje zjarresh fushore e malore. E përgatitjet për menaxhim në rast të këtyre zjarreve po ua vështirëson numri i ulët i zjarrfikësve si dhe automjeteve për fikjen e zjarrit.
“…raste për zjarre fushore malore sigurisht qe kemi por nuk ka ndodhur vetëm si shkak i temperaturave sepse kësi lloj të zjarreve mund të ketë edhe në janar, shkurt, mars apo prill, varet krejt prej temperaturave. Por, aktualisht për shkak të temperaturave juk kemi numër të madh të intervenimeve. Dy gjëra që na pengojnë janë numri i personelit dhe vjetërsia e tyre…”, tha Gashi për RTV21.
Drejtori i departamentit për Menaxhimin e Pyjeve, Menderes Ibra, flet për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve nga përhapja e zjarrit si pasojë e temperaturave dhe e pakujdesisë njerëzore.
“…ruajtja e pyjeve nga prerja por edhe përmes zjarreve, ka rëndësi shumë të madhe në pengimin e efekteve të ndryshimeve klimatike natyrore të cilët janë duke ndodhur përmes temperaturave të larta por edhe të sëmundjeve dhe dëmtuesve te cilat janë direkt pasojë e ndryshimeve klimatike…”, tha Ibra.
Kosova është në ditën e 11 të alarmit të kuq të nxehtësisë, thotë meteorologu Mendim Rugova. Ai kërkon nga qytetarët kujdes të shtuar.
Sipas meteorologëve në ditët vijuese pritet një rënie e temperaturave, si dhe mund të ketë edhe rrebeshe të shiut.
(Kosova Sot Online)