Vrasja e policit serb, bashkë me qitësin dyshohet se në veturë ishte edhe Faton Hajrizi

  • G.g /
  • 18 July 2024 - 10:54
Vrasja e policit serb, bashkë me qitësin dyshohet se në veturë ishte edhe Faton Hajrizi

Mbrëmë pas mesnatës, një polic serb është vrarë në zonën kufitare në Loznicë të Serbisë.

Mediat serbe shkruajnë se qitësi është kosovari Artan Hajrizi. Artani dyshohet se është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nëntë herë nga burgjet ndërsa aktualisht në arrati dhe i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare.

Faton Hajrizi, për herë të fundit është arratisur para dhjetë ditësh, ndërsa prej atëherë e sfidon shtetin duke u paraqitur në rrjetet sociale, kurse mbrëmë ai pati edhe një paraqitje live në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.

Ajo që ra në sy mbrëmë ishte se Fatoni po paraqitej nga telefoni i vëllait të tij, Artanit.

Pra vetëm pak kohë pas ndërprerjes së paraqitjes live në TV dyshohet se vëllezërit u përballen me policinë serbe në zonën kufitare në përpjekje për të dalë në Evropë.

Faton Hajrizi deklaroi se nuk ndodhet në Kosovë, madje as në Ballkan por diku në Evropë.

E për rastin e ndodhur mbrëmë është deklaruar edhe Ministria e Brendshme e Serbisë.

“Sonte rreth orës 00:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në postbllokun në Lipnicki Sor, policët e stacionit kufitar të Trbushnicës gjatë daljes kanë ndaluar një ‘Mercedes’ me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona. Një person ka gjuajtur me pistoletë duke e goditur policin NK (1990) në gjoks, dhe policin VI (1974) në shpatull, pas së cilës i njëjti ka ikur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka publikuar një fotografi të personit që thuhet se ka kryer vrasjen me emër të Artan Hajrizit.

Në rast ka mbetur i vrarë polici Nikola Kërsmanoviq dhe ka mbetur i plagosur polici tjetër, Vjekosllav Iliq.

(Kosova Sot Online)