Vuçiq thotë se ka marrë disa informata nga Kina në lidhje me kërkimet që po bëhen për kapjen e të dyshuarit për vrasjen e policit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se është duke i “verifikuar” disa lajme jozyrtare që ka marrë nga Kina, lidhur me kërkimet për të dyshuarin për vrasjen e një polici dhe plagosjen e kolegut të tij në afërsi të Loznicës.
Ai nuk sqaruar më shumë se për çfarë lloji të informacionit bëhet fjalë.
Vuçiq po ashtu ka thënë se ka marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) për arrestimin e të dyshuarit për organizimin e transportit të vrasësit të policit nga Presheva për në Loznicë.
“Tani po kontrolloj disa lajme jozyrtare që kam marrë nga Kina, shpresoj se gjithçka do të jetë mirë”, ka thënë Vuçiq teksa është prononcuar për mediat serbe në Blenheim Palace të Mbretërisë së Bashkuar, ku po mbahet Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
Duke u përgjigjur nëse ka ndonjë informacion të ri për vendndodhjen e “të dyshuarit shqiptar të Kosovës” për krimin afër Loznicës, Vuçiq ka përmendur Kinën.
Presidenti serb i ka shprehur ngushëllimet familjes së policit Nikolla Krsmanoviq, që ka mbetur i vrarë.
“Ne mund të ndihmojmë familjen, por nuk mund ta kthejmë atë jetë të re”, tha Vuçiq.
(Kosova Sot Online)