Vrasja e policit serb, analistja Ivana Stradner: Perëndimi s’po di t’i lidhë pikat

  • 19 July 2024 - 07:55
Vrasja e policit serb, analistja Ivana Stradner: Perëndimi s’po di t’i lidhë pikat

Këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, analistja dhe njohësja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, ka komentuar zhvillimet pas ngjarjes së mbrëmshme në Loznicë të Serbisë, ku raportohet të jetë vrarë një polic dhe një tjetër të jetë plagosur, transmeton "Kosova Sot Online ".

I dyshuari i parë për këtë rast ishte shtetasi i Kosovës, Artan Hajrizi, pasi që në vend të ngjarjes, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se është gjetur pasaporta e tij.

Megjithatë, më vonë u bë e ditur se Artani në fakt gjendet në Gjermani dhe se i dyshuari kryesor për këtë rast ishte Faton Hajrizi, vëllai i tij, i cili rreth dy javë më parë ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.

Daçiq, këtë ngjarje e quajti “sulm terrorist” dhe “akt që vjen nga strukturat shqiptare nga Kosova”.

Mirëpo, analistja Stradner po kërkon nga Perëndimi që të mos bien në propagandën e Serbisë.

Në një postim në platformën X, ajo ka thënë se Rusia dhe Serbia ka kohë që kanë qenë duke i krijuar kushtet informative për “grupet wahabi” në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Ministri i brendshëm i Serbisë sapo njoftoi për një tjetër ‘sulm terrorist’ të ndodhur në Serbi. Gjithashtu, Rusia dhe Serbia ka javë që po i krijojnë kushtet informative për ‘grupet wahabi’ në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”.

“Shumë në Perëndim nuk dinë t’i lidhin pikat…”, shkroi ajo.

Më herët gjatë ditës, Stradner bëri edhe një postim për “propagandën serbe” që thotë se “Kosova dhe Bosnje e Hercegovina po përgatiten për një luftë kundër Serbisë”.

“Në të vërtetë, është qeveria e Serbia ajo që po përgatitet për një eskalim të ri në Ballkan dhe këtë vit inteligjenca e ShBA-së paralajmëroi për eskalime të reja në rajon”, deklaroi Stradner.

Artan Hajrizi deklaroi në media  se Fatoni ia kishte vjedhur dokumentet e tij personale.

Mediat në Bosnje e Hercegovinë kanë raportuar se është arrestuar një person në lidhje me rastin e vrasjes së policit në Loznicë në Serbi. Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë i ditur.

(Kosova Sot Online )