I akuzuar për korrupsion por deklarohet i pafajshëm ish-zyrtari i ATK-së

  • 19 July 2024 - 08:13
 I akuzuar për korrupsion por deklarohet i pafajshëm ish-zyrtari i ATK-së

I akuzuari Malush Kelmendi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se, në cilësinë e zyrtarit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka falsifikuar një dokument zyrtar. Deklarimi u bë gjatë seancës fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmeton "Kosovas Sot Online".

Kelmendi akuzohet se me veprimet e tij, siç përshkruhen në aktakuzë, kishte për qëllim të zhbllokonte një shtëpi dhe një parcelë toke të pronarit Afrim Radoniqi, të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë e bëri pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Zef Prendrecaj.

“Ndihem plotësisht i pafajshëm”, tha i akuzuari Kelmendi.

Ndërkaq, prokurori Prendrecaj në fjalën hyrëse tha se Prokuroria e Shtetit konsideron se kësaj gjykate i ka ofruar mjaftueshëm fakte që do të dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprat penale të cekura si në dispozitivin e aktakuzës. Ai tha se kjo do të vërtetohet me dëgjimin e dëshmitarëve.

Fjalën hyrëse të prokurorit Prendrecaj e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, ATK-së, avokati Afrim Avdyli.

“E mbështes në tërësi fjalën hyrëse të prokurorit”, tha avokati Avdyli.

Tutje, gjatë dhënies së dëshmisë nga ana e dëshmitarit Arsim Syla (udhëheqës i divizioneve të standardeve profesionale në ATK), i akuzuari Kelmendi e pyeti dëshmitarin se pse i kishte premtuar se për këtë çështje do ta trajtojnë vetëm brenda ATK-së dhe se nuk ishte nevoja përmes Gjykatës.

Në lidhje me këtë, dëshmitar Syla deklaroi se: “Jemi kanë në fazën e grumbullimit të provave dhe gjendja emocionale.”

Po ashtu, Syla shtoi se të gjeturat nga raporti i dokumentit, dokumenti i plotësuar nga Afrim Radoniqi për lirimin e barrës tatimore për biznesin N.T.SH “Jetaedifarm”, ishte keqpërdorur vula zyrtare.

Tutje, i akuzuari Kelmendi tha se nuk kishte më pyetje për dëshmitarin Syla lidhur me këtë çështje, por kishte shumë vërejtje lidhur me dëshminë e tij.

Ndryshe, trupi gjykues pati vërejtje lidhur me dëshminë e dhënë nga ana e dëshmitarit Syla, sepse nga pyetjet e parashtruara nga ana e prokurorit, mbrojtjes, të akuzuarit dhe vetë trupit gjykues nuk po i përgjigjej, por po përpiqej t’i anashkalonte.

Seanca e sotme u ndërpre pasi që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ertan Sejfulla, kishte një çështje të paparashikueshme.

Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 27 nëntor 2023, ku i akuzuari Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të këtij viti, i pandehuri Kelmendi akuzohet se më 19 maj 2023, si person zyrtar, zyrtar tatimor, në zyrën e tij, ka marrë veprime të paautorizuara, duke krijuar dokumentin – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njëjtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur, e ka nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar, në këtë rast kolegu i tij, Arsim Ibrahimi përgjegjës për kryerjen e një veprimi të tillë.

Me këtë, i akuzuari Kelmendi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Kelmendi, në të njëjtën datë si më lart, si person zyrtar në dokumentin zyrtar, certifikatën e lirimit të barrës tatimore, ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH “Jetaedifarm”, me pronar Afrim Radoniqi, të cilin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër protokolli fiktiv (numrin 554), i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së Detyrueshme.

Tutje, thuhet se këtë dokument që përmban plotësisht të dhëna të rreme, e ka dorëzuar personalisht më 19 maj 2023 në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjektit tatimor, pronarit Afrim Radoniqi, t’i zhbllokohen pronat të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, i pandehuri Kelmendi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 paragrafi 1 i KPRK-së.

(Kosova sot Online )