Zbatimi i marrëveshjes bazike, Kosova i përgjigjet BE-së: Çka dërgoi Qeveria në Bruksel?
Qeveria e Kosovës ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se cilat janë komentet që ka dërguar në Bruksel rreth zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Ndonëse kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se për përmbajtjen e këtyre komenteve opinioni do të njoftohet sot paradite, akoma nuk ka ndonjë informacion zyrtar se çka ka dorëzuar Kosova te Bashkimi Evropian.
Ajo që dihet është vetëm një konfirmim i këshilltarit të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
Kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se Kosova do t`i përgjigjet Brukselit në mënyrë adekuate.
“Ekipi i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar, e për këtë gjë sigurisht do t’ju njoftojnë edhe juve gjatë ditës se sotme ose më së largu nesër paradite”, ka thënë Kurti.
Ai ka përsëritur qëndrimin e Kosovës për marrëveshjen në fjalë.
“Së pari, para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes, duhet të kemi respektim. Nuk mund të kemi zbatim të vërtetë e as të qëndrueshëm nëse nuk kemi respektim. Serbia s’e ka bërë këtu, përkundër e ka shkelur për çdo javë prej kur është pranuar vitin e kaluar, duke kulmuar me letrën e Bërnabiq, në mes të muajti dhjetor dërguar 27 vendeve të BE-së ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja”.
“Pra ne insistojmë në respektim të marrëveshjes, për këtë gjë nevojitet nënshkrimi, sepse nënshkrimi do të ishte garanti e sinqeritetit, mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme”.
(Kosova Sot Online)