
Lexoni edhe:
Gjuajti në aheng, Policia në fshatin Billush të Prizrenit sekuestron një armë dhe gjen municion – i dyshuari ndalohet për 48 orë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbërritur në Downing Street, ku pritet të bëhet lideri i parë i huaj që i drejtohet personalisht kabinetit që nga viti 1997, transmeton "Kosova Sot Online".
Presidenti ukrainas u prit nga kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, me një përqafim të ngrohtë dhe shtrëngim duarsh përpara se të hynte në 10 Downing Street (Kryeministrit), shkruan The Guardian.
Zelenskiy i ka kërkuar Keir Starmerit që të “tregojë lidershipin” e tij dhe të ndihmojë Ukrainën në çështjen e raketave me rreze të gjatë.
Në fjalimin e tij drejtuar kabinetit, Zelenskiy tha se “nëse hiqet kufizimi për armët perëndimore”, do të ndihmonte Kievin të forconte mbrojtjen e tij dhe të siguronte pozicionet e tij të vijës së parë. Ai tha se “është e mundur të shkatërrohen” zonat në Rusi ku po përqendrohen armët.
Sa i përket raketave me rreze të gjatë, presidenti tha se “neve ende na mungon përgjigjja kryesore për këtë pyetje” dhe i tha kryeministrit “unë ju kërkoj të tregoni lidershipin tuaj” për këtë çështje.
Zelenskiy ka thënë se aftësia për të përdorur armët perëndimore për të goditur territorin rus është e rëndësishme për përpjekjet e Ukrainës për t’u mbrojtur kundër Moskës.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka sugjeruar se vendosja e raketave britanike është në fund të fundit një çështje e Ukrainës, për sa kohë që ligji ndërkombëtar respektohet.
Ndërkaq, Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të dyfishojë mbështetjen ndaj Ukrainës, ndërsa vizitën e Zelenskyt në Downing Street e quajti si një “pjesë të vërtetë të historisë”.
“Ky është një takim shumë, shumë i rëndësishëm për ne dhe ju jeni shumë të mirëpritur këtu”, tha kryeministri britanik.
(Kosova Sot Online )