Lexoni edhe:
Kolona 200 metra e pritje deri në 40 minuta, gjendja nëpër pikëkalimet kufitare
Rasti “Stenta 2” ka shkuar drejt fundit. Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve ndërsa mbrojtja lirimin e tyre, transmeton "Kosova sot Online ".
Në këtë rast të ndarë në disa pjesë, po akuzohen mjekët Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka thënë se meqenëse ky rast ka qenë voluminoz dhe është dashur të ndahet në disa pjesë, Prokuroria dhe gjykata janë detyruar të bëjnë ndarjen e provave të cilat kanë qenë të përbashkëta edhe në rastet tjera.
Kolona 200 metra e pritje deri në 40 minuta, gjendja nëpër pikëkalimet kufitareLexoni edhe:
“Meqenëse këta të akuzuar nuk e kanë pranuar veprën penale, është bërë edhe administrimi i provave dhe dëshmitarëve apo viktimave”, tha prokurorja Salihu-Shamolli.
Ajo shtoi se në këtë rast janë dëgjuar 43 dëshmitarë të cilët në shumicën e rasteve kanë përshkruar se si kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, qoftë ata apo familjarët e tyre, dhe në momentin kur kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kanë qenë të lidhur me spitalet “IMH” dhe “Jeta”, ku të akuzuarit i kanë referuar pacientët.
“Si prova materiale janë administruar edhe SMS si komunikime të cilat i kemi, sidomos i akuzuari Nexhmi, i cili ka pasur komunikime të shumta me mjekë të ndryshëm për pacientët të cilët janë dërguar në këto dy spitale”, shtoi ajo.
Sipas saj, dëshmitari bashkëpunues Lulzim Brovina, i cili ka qenë edhe mjek, ka treguar se si këta mjekë kanë qenë të lidhur me këto spitale, dhe për çdo pacient që kanë referuar në spitale kanë pasur përqindjen e vet të fitimit për rajone të ndryshme të Kosovës.
Kështu, prokurorja kërkoi që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Ajo theksoi se sipas ekspertizës financiare, vlera e dëmit është 11,430 euro.
Ndërsa, kërkoi që të akuzuarit Murat Abazit t’i lirohet pasuria e konfiskuar pasi tha se në dokumentacion thuhet se iu ka konfiskuar një pjesë e pasurisë së tokës, ndërsa në aktakuzë kjo nuk përmendet. Andaj, meqenëse nuk është e propozuar, ajo propozoi që kjo pjesë t’i lirohet.
Mbrojtësi në zëvendësim i të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, avokati Jeton Hasani, kërkoi që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm, dhe vetë Muhaxheri kërkoi kthimin e dorëzanisë, përkatësisht banesën e vëllait e cila i është marrë që 10 vjet.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhmi Zeqiri, avokati Besnik Berisha tha se krimin e ka kryer prokuroria që nga fillimi i hetimit të këtij rasti deri në përfundimin e tij, e që ka zgjatur mbi 10 vjet.
“Nëse i referohemi historikut të kësaj çështje, do të gjejmë se rreth 50 kardiologë me shkollim superior dhe së paku një specializim, u hetuan si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ku shef ishte një ministër dhe zv. shefi i tij një neuropsikiatër me funksion sekretari i njëjtë që kishte dhënë edhe betim hipokratit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, krimi filloi kur të gjithë mantelbardhët dhe pronarët e spitaleve u arrestuan ndërsa shefi dhe zëvendësi i “grupit kriminal” u intervistuan si të lirë, ndërsa të tjerët u dërguan në paraburgim.
Ai shtoi se Prokuroria kishte marrë rolin e kardiologut pa pasur idenë dhe pa bërë ekspertiza kardiologjike, duke kërkuar të paraqiten të gjithë ata që kishin kryer intervenime.
“Të gjithë dëshmitarët e ftuar në secilin rast tashmë të gjykuar, pohuan disa fakte me rëndësi që, kur interpretohen të lidhura edhe me udhëzimin administrativ, konfirmuan se kardiologët jo vetëm që nuk kishin tejkaluar detyrat si persona zyrtarë, por në fakt mos referimi do të përbënte krim”, shtoi ai.
Berisha tha se nuk ka prova që e mbështetin dyshimin e bazuar se kardiologët kanë kryer krimin për të cilin akuzohen, dhe për këtë arsye kërkoi t’i lirohen nga akuzat dhe kthimin e dorëzanisë për të mbrojturin e tij.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Susuri, avokati Hazer Susuri tha se i mbrojturi i tij akuzohet për dy vepra penale, duke theksuar se aktakuza e prokurorit nuk është ligjërisht e bazuar dhe nuk mund të qëndrojë as juridikisht as faktikisht.
Ai tha se në bazë të provave të administruara, në periudha inkriminuese, nuk mund të qëndrojë sipas raportit të forenzikës, pasi tha se tashmë ka arritur edhe parashkrimi relativ i veprës penale. Andaj, propozoi të marr aktgjykim lirues.
Avokati Susuri shtoi se me asnjë provë nuk është vërtetuar keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe marrja e ryshfetit nga ana e klientit të tij.
Rrezon Hoxha, avokati i të akuzuarës Ferihane Sefa tha se kjo aktakuzë është skandali më i madh, pasi prokuroria ka akuzuar një numër të madh të mjekëve pa përshkruar veprimet e tyre veç e veç.
Hoxha shtoi se po të caktohej saktë periudha e kryerjes së veprës penale, kjo vepër do të ishte parashkruar, duke theksuar se e mbrojtura e tij duhet të shpallet e pafajshme pasi me asnjë provë nuk përmendet se nga kush ka pranuar ryshfet.
Avokati Sefer Morina, i të akuzuarit Masar Gashi, në elaborimin e fjalës përfundimtare kërkoi që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm, duke theksuar se Gashi është pensionuar në shtator të vitit 2014, përderisa prokuroria e akuzon deri në periudhën dhjetor 2014.
Vetë i akuzuari Gashi përshkroi procedurën e mjekimit duke thënë se në atë kohë nuk kanë pasur kushte për vendosjen e stentave në enët e gjakut të mbyllur dhe çdo pacient që është lajmëruar me infarkt të zemrës pasi është vërtetuar diagnoza është vendosur terapia e duhur sipas protokollit, duke thënë se a është vepër penale trajtimi sipas protokollit?
Në fund, edhe avokati i të akuzuarit Murat Abazi, Mehmet Berisha, kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij duke thënë se Berisha ka qenë infermier dhe si ka mundur i njëjti të bëjë referimin e pacientëve për intervenime kaq të rënda pa pasur autorizime.
Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.
Kjo pjesë e veçuar tani trajtohet nga gjykatësi Ngadhnjim Arni.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Stenta 2”, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.
Po ashtu, rasti ishte veçuar edhe ndaj Daut Goranit, më 16 gusht 2023, pasi që mbrojtësi i tij, avokati Mustafë Radoniqi kishte njoftuar se i njëjti nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore, i cili po ashtu është liruar nga akuza, më 4 dhjetor 2023.
(Kosova Sot Online )