Lexoni edhe:
Ministrja Albulena Haxhiu s’i beson Serbisë se është vrarë Faton Hajrizi, e dënon vrasjen e policit në Lloznicë dhe kërkon hetim ndërkombëtar për ikjet nga burgjet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka akuzuar Serbinë se përmes grupeve kriminale kanë dorë në ikjet që kanë ndodhur nga burgjet në Kosovë, transmeton "Kosova Sot Online . Ajo tha se nga informacionit që kanë këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë.
Haxhiu theksoi se një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, ka thënë ajo.
Ajo ka kërkuar hetim vendor dhe ndërkombëtarë për organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë.
“Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm. Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka thënë tutje ajo.
(Kosova Sot Online )