Lexoni edhe:
“Territori i Serbisë si mburojë” Haxhiu: Grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në Serbi kanë dorë në ikjet nga burgjet e Kosovës
Në ditën e 200-t, të arrestit politik, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën që mbajti mbrëmjen e 19 korrikut 2024 për qytetarët theksoi se, beteja që po zhvillohet ndaj Ramës, është më e fuqishmja kundër mafies ndërkombëtare, transmeton "Kosova Sot Online".
Berisha: Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve të pamposhtur.
Burrave dhe grave guximtarë që prej 200 ditësh zhvilloni në këtë rrugë betejën më epike, më të fuqishme ndaj mafies më të egër shtetërore në Europë, Edi Ramës dhe qeverisë së tij organizatë kriminale.
Beteja kundër Edi Ramës është beteja më e shenjtë që një shqiptar mund të zhvillojë për mbrojtjen e dinjitetit dhe qenies shqiptare.
Beteja kundër Edi Ramës është beteja kundër një armiku të egër që zbrazi Shqipërinë me një shpejtësi të rrufeshme sa asnjë pushtim tjetër në tërë ekzistencën e saj.
Por beteja kundër Edi Ramës është beteja e cdo qytetari, pavarësisht nga etnia e tij, që i beson lirisë dhe dinjitetit njerëzor sepse Edi Rama faktohet një pasardhës autentik i babait të tij xhelat, i dajos së tij xhelat.
Edi Rama riktheu në Shqipëri burgosjet, arrestimet politike. Edi Rama shndërroi të gjitha pushtetet e këtij vende në pushtete personale. Vendosi kontrollin e tij mafioz në çdo pushtet të këtij vendi. Por kjo betejë, duhet të jemi të sinqertë, është beteja më e fuqishme që zhvillohet kundër mafies ndërkombëtare, armike e egër e betuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kundër Xhorxh Sorosit, kundër armiqve të lirisë të shqiptarëve. Kundër hajdutëve të shqiptarëve. Kundër McGonigalëve, kundër ambasadorëve që për thasët me para iu deklaronin shqiptarëve se policia, në kohën kur vendi zhytej në kanabis, ka bërë luftë të shkëlqyer kundër kanabisit. Kundër zyrtarëve të tjerë që lëshojnë deklarata të paguara në mbështetje të bosit të mafies shqiptare, Edi Ramës. Dhe që kryejnë vizita të paguara në mënyrën më të shëmtuar.
Kjo është betejë e vështirë. Shqiptarët përjetonin një diktaturë ideologjike në të cilën regjimi barbar shqiptar mbështetej nga superfuqitë komuniste të kohës. Megjithatë shqiptarët kurrë nuk u dorëzuan. Ata mbushën burgjet më shumë se çdo popull tjetër. Ata mbushën kampet e përqendrimit, sakrifikuan për të vërtetën dhe të vërtetat që duhet të mbronin. Sot ne jemi të vendosur të denoncojmë çdo vjedhje të Edi Ramës pa asnjë çmim.
Të denoncojmë çdo krim të Edi Ramës dhe ministrave të tij. Të denoncojmë çdo vjedhje të familjarëve të Edi Ramës dhe sojit të tij të fëlliqur. Të denoncojmë çdo vjedhje të zyrtarëve dhe qeveritarëve të tij vendorë. Por të denoncojmë gjithashtu çdo akt të çdo korruptokrati ndërkombëtar, cilido qoftë ai, që mbron krimet e Edi Ramës me pagesa ndaj tij.
Ne po mbrojmë të vërteta, të cilat janë aq sa shqiptare, aq europiane, aq amerikane, aq të çdo vendi të lirë. Sepse ne besojmë se vjedhja monstruoze e qytetarëve shqiptarë duhet të ndëshkohet me forcën më të madhe. Ne besojmë se lidhjet e krimit të qeveritarëve shqiptarë janë rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera.
Ne besojmë se zbrazja e tmerrshme e Shqipërisë nuk është interesi i asnjë vendi mik të Shqipërisë. Ndaj dhe ne nuk heshtim.
As 200, as 400, as 2 mijë, as 6 mijë ditë, nuk do na mposhtin ne kurrë. Së bashku do vazhdojmë luftën!
Përshëndes oratorët tuaj, të cilët kanë bërë avokatinë e vërtetë të procesit politik dhe zbërthimin e tij. Por vetëm dy gjëra do u rikujtoj. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, në asnjë të qindtë të sekondës, nuk më ka shkuar mendja para asnjë njeriu që të hesht në mbrojtje të interesit tuaj. Edi Rama, pasi pagoi dhe korruptoi McGonigal e të tjerë për shpalljen time non-grata, mendoi se ia arriti qëllimit.
Harroi fuqinë që ka e vërteta dhe arma e të vërtetës. E vërteta është fuqia nukleare e një shoqërie të lirë. Mjerë ata që besojnë se mund t’i fshehin të vërtetat një kombi dhe një vendi. Ndaj dhe pasi mori dështimin me poshtërsitë e tij, u përpoq me mesazherë krimi, Dumanin, Krajën dhe Mellonain, të më çonin mesazhe se kjo çështje po hetohet.
Qeshja me ta. Nuk jeni asgjë tjetër veçse segmente të krimit të Edi Ramës.
Goja e Sali Berishës nuk mbyllet kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve, interesin kombëtar të shqiptarëve, interesat individuale, dinjitetin e tyre. E kam bërë atë në emër tuaj dhe për ju sepse ndjehem miliona herë i detyruar për besimin që keni shprehur ndaj meje me vota.
E kam bërë atë t’u them ju të vërtetën dhe kurrë nuk ëndërroja se ndonjëherë do votohej për mua. Por besoja se unë duhet të mbroja detyrën time, të mbroja të vërtetat që nuk kisha mbrojtur.
Ndaj dhe me këtë motiv, motiv për të mbrojtur disa të vërteta, vendosa 34 vite më parë të kundërshtoj dhe të dal përballë regjimit më të egër, një regjimi që pushkatonte në kufi.
Ai vendim më ka shoqëruar mua gjithë jetën, nuk më ndahet mua gjer në minutën e fundit. Ta dini ju se të vërtetën do e mbroj para cilitdo. E vërteta është e Zotit dhe unë nuk tërhiqem kurrë nga mbrojtja e saj.
Sot ishte një seancë me Irenën me pesë mbiemra, delinkuenten Gjoka që ka pafytyrësinë dhe paturpësinë të qëndrojnë në detyrë kur vendin e ka në burg se ka shkelur ligjin.
Sot, miqtë e mi, çfarë rezultonte? Edi Rama kishte urdhëruar mercenarët e vërtetë që të kërkojë zgjatjen e hetimit. Por duhet t’u informoj ju dhe shqiptarët se kjo është radha e tretë që në asnjë nga dokumentet e dorëzuara nuk citohet emri i Sali Berishës. Sepse këta mercenarë nuk gjejnë dot edhe 100 vjet po të kontrollojnë asgjë, por vetëm zbatojnë verbërisht si mafiozë, pa moral, pa karakter, si njerëz të marrë peng, urdhrat e Edi Ramës.
Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga sakrificat, por e vërteta nuk mbrohet kurrë pa sakrifica.
Sot po lexoja historinë tragjike të dy vajzave, të cilave Nuredin Dumani, kushëriri i Altin Dumanit, nga burgu ku është, pas kërcënimeve, u kishte vënë minën te shtëpia. Minën për t’i hedhur në erë dy vajza të reja. Një 27-vjeçar që kaloi aty është sot në gjendje kritike për jetën.
Rrëfimi i njërës prej tyre guximtare, është i gjithë thelbi i këtij shteti. Iu ankova Dumanit të Skapit për Dumanin e qelisë, më tha ai bënte shaka, nuk e ka me të vra ty.
U ankova tek policia e Ballës, kot i ke këto. Dhe nga qelia ku është, u çoi minën me sahat për t’i hedhur në erë të dyja.
Dje, deputeti ynë pyeti kriminelin me pesë mbiemra, Taulant Ballën, e mbylli gojën, e qepi gojën ky porositësi i vrasjeve. Sepse Dumani ishte vrasësi i porosive të Suel Çelës. Dhe të Taulant Ballës atëherë.
A e dini ju o miq, për të mos hyrë në këto, do ua tregoj këtë se njeriu që ka denoncuar më shumë se kushdo tjetër me Suel Çelën, me Safet Bajrën, me Rrajat, me stër-Rrajat, jam unë.
Kurse Alistair King-Smith ambasadori i madhërisë së tij, ka marrë shpifjen e Lulzim Bashës dhe e ka përcjellë si të vërtetë në qeverinë e tij se Berisha ka lidhje me Suel Çelën!!! Turp të kesh o ambasador, se nuk përfaqëson… ti turpëron vendin tënd. Ti turpëron Europën.
Pra, miqtë e mi, ua thashë këtë shembull për të kuptuar se me çfarë mafie përplasemi. Po nëse ne nuk qëndrojmë si shqiptarë, Shqipëria ka marrë fund.
Shqipëria pas 60 vitesh do banohet vetëm nga trafikantë, nga kriminelë. Shikoni turizmin si është përgjysmuar. Shqipëria po falimenton, ndaj dhe i bëj thirrje sonte çdo shqiptari të ngrihet. Të ngrihet fuqishëm për mbrojtjen e dinjitetit të tij.
Për mbrojtjen e vendit të tij nga kjo mafie shkatërrimtare shqiptare dhe ndërkombëtare. Është në dorën tonë të marrim fatin në duart tona. Është në dorën tonë t’u rikthejmë shqiptarëve votën e lirë, t’u rikthejmë rotacionin, t’u rikthejmë fitoren. Rrofshi ju, rroftë fitorja. Fitore, fitore, fitore!
(Kosova Sot Online )