Ministri Hekuran Murati godet Ramush Haradinajn: Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit prekën shifrën 12 milionë euro gjatë Qeverisë suaj

  • 23 July 2024 - 07:50
Ministri Hekuran Murati godet Ramush Haradinajn: Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit prekën shifrën 12 milionë euro gjatë Qeverisë suaj

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në lidhje me shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Murati përmes një postimi në Facebook ka thënë se e vetmja herë kur shpenzimet për udhëtime jashtë vendit kanë prekur shifrën 12 milionë euro, ka qenë pikërisht në kohën kur qeverinë e udhëhiqte Haradinaj.

“Deputeti Haradinaj sonte paska thënë shumë të pavërteta, e njëra nga to ishte edhe për shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit.  Sipas Haradinajt, Qeveria Kurti i ka rritur këto shpenzime në 12 milionë euro, nga 5 milionë euro sa paskan qenë në kohën kur ka qeverisur Haradinaj.  E vërteta është se e vetmja herë kur shpenzimet për udhëtime jashtë vendit kanë prekur shifrën 12 milionë euro, ka qenë pikërisht në kohën kur qeverinë e udhëhiqte Haradinaj – në vitin 2018 (grafikoni 1).

“Nëse merret vetëm shpenzimi i qeverisë qendrore (grafikoni 2), shihet se përkundër çmimeve më të larta të udhëtimit pas pandemisë, viti 2023 megjithatë mbetet më i ulët se cilido vit i qeverive paraprake (2015-2019), me përjashtim të kohës së pandemisë kur kufijtë ishin të mbyllur”, ka shkruar ai.

“E madje edhe kjo rritje në vitin 2023 vjen kryesisht si rezultat i rritjes së trajnimeve jashtë vendit për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Vetëm për FSK, shpenzimet e udhëtimit, që në fakt janë shpenzimet për mbulimin e trajnimeve të ndryshme të ushtarakëve, për vitin 2023 ishin 1.78 milionë euro. Që len të kuptohet se pa këto trajnime, shpenzimi i qeverisë qendrore për vitin 2023 do të sillej në rreth 5.2 milionë euro. Propaganda dhe shpifjet e tilla do të shpeshtohen, sa më poshtë që dalin në sondazhe e sa më të pashpresë që bëhen”, ka thënë Murati. 

(Kosova Sot Online )