Lexoni edhe:
Haradinaj kërkon përballje me Kurtin: Eja ballafaqojmë listën e sukseseve të Qeverisë sime dhe të Kurtit
Në konkursin e rishpallur për pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës, të datës 08.07.2024, kanë aplikuar katër kandidatë, prej tyre dy gra e dy burra, transmeton "Kosova Sot Online ".
Katër pretendentët për rektor të ri të UP-së janë: Arben Hajrullahu, Eda Vula, Lidvana Pallaska Spahiu dhe Isak Shabani.
Aplikimin e tyre për pozitën e rektorit të UP-së e ka konfirmuar Irfan Nikçi, zëdhënës i Universitetit të Prishtinës.
Konkursi për rektorin e ri të UP-së u rishpall pasi në konkursin e parë të shpallur më 07.05.2024, asnjëri nga katër kandidatët burra që garuan për pozitën e rektorit nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Në mesin e emrave të kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin e rishpallur për rektorin e ri të UP-së bëjnë pjesë: një profesor i rregullt, një dekan dhe dy profesoresha të rregullta, njëra prej të cilave është edhe kryesuese e përkohshme e Senatit të UP-së.
Arben Hajrullahu është profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Eda Vula është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe njëherit kryesuese e përkohshme e Senatit të UP-së nga data 29.04.2024.
Lidvana Pallaska Spahiu është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në UP.
Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.
Dekani Shabani aplikoi edhe në konkursin e parë për rektor të UP-së, por nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor.
Përveç dekanit Shabani, kandidatët e tjerë që garuan për rektor në konkursin e parë të datës 07.05.2024 ishin: Sefer Avdiaj, Faton Berisha dhe But Dedaj.
Në konkursin e parë ka kandiduar edhe e vetmja grua për rektore të UP-së, Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik. Por, Mushkolaj u tërhoq nga kandidimi për këtë pozitë.
Mushkolaj ka thënë se vendimin për t’u tërhequr nga kandidimi për rektore të UP-së e mori pasi që u përzgjodh për të qenë pjesë e një ekipi ndërkombëtar të studiuesve për një kërkim shkencor.
Këshilli Drejtues i UP-së brenda ditës i pati intervistuar dhe votuar këta kandidatë për rektor, më 03.07.2024.
Votimi ka kaluar në tre runde për shkak se asnjëri prej kandidatëve për rektor të ri të UP-së nuk fitoi shumicën e votave në raport me numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së
Edhe pas këtyre tri rundeve të votimit, Këshilli Drejtues i UP-së nuk arriti ta zgjedhë rektorin e ri të UP-së.
(Kosova Sot Online )