Szunyog: Vrasja e policit në Serbi dhe Banjska, dy raste janë krejtësisht të ndryshme, nuk duhet të krahasohen
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili është në përfundim të mandatit të tij, ka folur për përpjekjet e Serbisë që të krahasojë sulmin terrorist në Banjskë me vrasjen e një polici serb nga një i arratisur nga burgu kosovar, përcjell "Kosova Sot Online".
Ai thotë se për BE-në këto raste janë krejtësisht të ndryshme.
Szunyog potencoi se veprimtaria e grupit kriminal të Banjskës ishte e organizuar.
“Ato dy raste janë krejtësisht të ndryshme dhe mendoj se nuk duhet të krahasohen për ne. Veprimtaria e grupit kriminal të Banjskës ishte e organizuar. Por Banjska u krye qartazi nga një grup i mirorganizuar kriminal dhe kjo vërtetohet nëse shikoni madhësinë në numrin e personave të përfshirë, numri i makinave të konfiskuara, numri i armëve dhe municioneve. Kjo nuk është qartësisht e krahasueshme me aktivitetet e një individi, qartësisht dihet se ka qenë një kriminel dhe i cili pak më parë është arratisur nga burgu”.
(Kosova Sot Online)