
Hamza i prekur pas takimit me ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Po paguajnë çmim të lartë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka shkuar në Hagë për t’u takuar me ish-udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale, përcjell "Kosova Sot Online".
Ai tha se për pak orë u çmall me liderët e luftës.
“Sa herë që jam në Hagë për t’i takuar presidentin Thaçi, kryetarin Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre. Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësisë dhe Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë”, shkroi Hamza.
“U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor. Njëkohësisht, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë”, shkroi Hamza.
“Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)