Shërbimi i evropian i klimës: 21 korriku, dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë

  • E.k /
  • 23 July 2024 - 22:29
Shërbimi i evropian i klimës: 21 korriku, dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë

Njëzetenjë korriku ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në botë, sipas të dhënave paraprake të publikuara më 23 korrik nga monitoruesi për motin i Bashkimit Evropian.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike, Copernicus (C3S) tha se temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe ishte 17.09 gradë Celsius të dielën, që është temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Matjet e tyre për temperaturat kanë nisur më 1940.

Njoftimi vjen në kohën kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me valë të nxehtësisë dhe zjarre.

“Toka sapo ka përjetuar ditën më të nxehtë të saj”, tha shërbimi monitorues përmes një deklarate.
Rekordi i ri ditor, që u regjistrua, ishte 0.01 gradë Celsius më shumë sesa rekordi paraprak prej 17.08 i regjistruar më 6 korrik 2023.

“Më 21 korrik, C3S regjistroi një rekord të ri të temperaturës mesatare ditore globale”, tha drejtori i shërbimit, Carlo Buontempo përmes një deklarate.

“Tani vërtet jemi në një terren të pashkelur dhe teksa klima po vazhdon të ngrohet, ne do të kemi rekorde të tjera që do të thyhen në muajt dhe vitet e ardhshme”, tha ai.

Edhe pse shifrat e publikuara paraqesin një rritje të lehtë krahasuar me rekordin paraprak, Buontempo tha se gjatë 13 muajve të fundit është regjistruar një nxehtësi rekord në mbarë botën.

Çdo muaj që nga qershori i vitit 2023 ka regjistruar rekord temperature krahasuar me muajin e njëjtë në vitet e kaluara.

Në këtë kontekst, Copernicus tha se nuk do të ishte e papritur që edhe ky rekord të thyhet gjatë kësaj vere.

Ndryshimet klimatike po shkaktojnë ngjarje të motit ekstrem që janë më të gjata, më të fuqishme dhe më të shpeshta, sikurse janë valët e të nxehtit, vërshimet dhe zjarret.

Këtë vit, valët e të nxehtit veçse kanë goditur Amerikën e Veriut, Meksikën, Indinë dhe Tajlandën, ndërkaq vërshimet kanë shkaktuar dëme në pjesë të Afrikës Lindore, Kinës dhe Brazilit.

Vatra të zjarrit ka në pjesë të mëdha në mbarë Evropën jugore dhe lindore, por edhe në Kanada e Shtetet e Bashkuara.

Djegia e lëndëve fosile vlerësohet se është nxitësi kryesor i ngrohjes globale, por po ashtu emetimet e gazrave serrë po vazhdojnë të rriten pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare që bota të kalojë në energji të pastër, dhe të ngadalësojë rritjen e temperaturave.

Viti 2023 ishte viti më i nxehtë në histori dhe viti 2024 mund të bëhet viti më i nxehtë, duke pasur parasysh “temperaturat mjaftueshëm të nxehta” që janë përjetuar deri më tani gjatë këtij viti, tha Copernicus./REL

(Kosova Sot Online)