Gërvalla thotë se përputhja e shenjave të gishtërinjve nuk garanton se është kryer identifikimi i Faton Hajrizit: Është në mjegull

  • E.k /
  • 24 July 2024 - 16:10
Gërvalla thotë se përputhja e shenjave të gishtërinjve nuk garanton se është kryer identifikimi i Faton Hajrizit: Është në mjegull

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova ende nuk e ka verifikuar se Faton Hajrizi është vrarë në Serbi, përcjell "Kosova Sot Online".

Gërvalla ka thënë se mostra e shenjavë të gishtërinjëve që u dërgua nga Serbia, pas verifikimit në Kosovë u konstatua të jetë e Faton Hajrizit, duke shtuar se “nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”.

Gërvalla ka shtuar se ju kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike, edhe misionit të BE’së në Beograd që të ndihmojnë në sqarimin e kësaj çështje.

“Ne kemi qenë shumë këmbëngulës në kërkesën që trupi i personit të vrarë, kushdo që të jetë ai, t’I kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisjemi gjatë kësaj kohe. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjëve të një personi, i cili pas verfikimit në Kosovë është konstatuar të jetë qytetari i Kosovës, Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka deklaruar Gërvalla.

“Deri tani gjithçka ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Nuk mund t’i themi qytetarëve tanë që kemi informacione të sakta, mirëpo nuk fshehim asnjë prej informacioneve që kemi marrë sepse dëshirojmë që edhe qytetarët dhe mediat të jenë po aq të inforuarr ose të painformuar sa janë edhe institucionet. Pra deri tani kjo është gjendja, pa dashur të paragjykojë asgjë që ka ndodhur në Serbi sepse jam shumë e sigurtë që nuk e dijmë të gjithë të vërtetën dhe prandaj të presim se si do të rrjedhin”, ka thënë Gërvalla.

“I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, u kemi bërë thirrje edhe misioneve diplomatike, edhe misionit të BE’së në Beograd që të na ndihmojnë në sqarimin e kësaj çështje, në zbardhjen e së vërtetës, mirëpo nuk mund t’ju jap me shumë siguri dhe me asnjë garancë informacione përtej asaj çfarë kemi deklaruar deri tani”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online)