Situata aktuale në vend, Bislimi takohet me emisarin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, transmeton "Kosova Sot Online".
Për këtë takim ka njoftuar zyra për media brenda Qeverisë së Kosovës.
“Palët diskutuan mbi situatën aktuale në vend, ku zëvendëskryeministri Bislimi e njohu z. Blankenborg me punën e Qeverisë në kontekst të zhvillimit të vendit në rrafshin ekonomik, duke veçuar dhe të dhënat më të fundit që tregojnë për ulje të papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2023, nga 11.8% sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%. Zëvendëskryeministri shtoi se këto rezultate të arritura në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, në tri vitet e fundit, janë histori suksesi e shtetit tonë dhe projektim premtues për të ardhmen e vendit, dëshmuar dhe nga rankimet pozitive në indekset ndërkombëtare”.
“Më tej, ata biseduan dhe mbi zhvillimet në rajon e procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, për bisedën e zhvilluar dhe takimin e frytshëm e produktiv”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)