Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

  • s.a /
  • 25 July 2024 - 14:37
Putin zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që tentojnë “të përçajnë” Rusinë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do të hakmerret ndaj kujtdo që tenton të përçajë shoqërinë ruse, teksa lavdëroi efikasitetin dhe besnikërinë e agjencive të zbatimit të ligjit të shtetit të tij, transmeton "Kosova Sot Online ".

Putin ka përshkallëzuar shtypjen e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe opozitës, teksa po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Ukrainë. Kundërshtarët dhe kritikët e Kremlinit ndiqen penalisht dhe dënohen me burgime të gjata.

“Ata që përpiqen të frikësojnë njerëzit, të përçajnë shoqërinë tonë, të luajnë me ndjenjat fetare apo kombëtare, nuk do të kenë kurrë sukses”, tha Putin përmes një video-mesazhi të publikuar nga Kremlini më 25 korrik.

“Ata i pret një hakmarrje e pashmangshme”, shtoi ai.

Rusia rregullisht përdorë shprehje sikurse “spiunë perëndimorë” dhe “kukulla të Perëndimit” për të përshkruar ata që kundërshtojnë Kremlinin, përfshirë kritikët në vend.

Kremlini publikoi këtë video të Putinit për të shënuar “Ditën e hetuesve” dhe lideri rus nderoi agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, përfshirë Komitetin Hetues dhe shërbimin e sigurisë, FSB, që është pasardhës i KGB-së të kohës sovjetike.

“Hetuesit tregojnë besnikëri pa kushte për Atdheun dhe popullin tonë”, tha Putin.

Kritikët e Kremlinit thonë se fokusi i Rusisë në hetimin dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë brenda vendit e bën shtetin të pambrojtur nga kërcënimet reale të sigurisë.

Pothuajse të gjithë kundërshtarët kryesorë të Putinit janë në burg apo janë larguar në mërgim.

Për të shtypur kritikat, Rusia aplikon dënime të ashpra për ata që kritikojnë veprimet ushtarake në Ukrainë, përderisa Putini vazhdimisht ka pretenduar se shoqëria ruse është e bashkuar sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022

(Kosova Sot Online )