Prokuroria nuk e arsyeton mungesën, dështon të nisë gjykimi për korrupsion ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve

  • s.a /
  • 26 July 2024 - 14:47
Prokuroria nuk e arsyeton mungesën, dështon të nisë gjykimi për korrupsion ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve

Për shkak se në seancën e së premtes, nuk ishte i pranishëm askush nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka dështuar të nisë gjykimi ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për shkak të veprës penale “marrja e ryshfetit” dhe të dy të tjerëve Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, transmeton "Kosova Sot Online ".

Për mosprezencën e PSRK-së në këtë seancë, gjykatësi Lutfi Shala tha se ata janë ftuar në mënyrë të rregullt. Ai shtoi se gjykata ka prova që ftesa është pranuar, por mungesa e tyre nuk është arsyetuar.

Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024.

Po ashtu, gjykatësi Shala bëri të ditur se aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, po sipas tij, për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të atij regjioni, Prokuroria këtë çështje për gjykim e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda.

Mirëpo, sipas tij, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa ky i fundit sipas tij ka hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.

Lidhur me këtë, gjykatësi Shala bëri të ditur se Gjykata e Apelit ka vendosur se si gjykatë kompetente për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin vendim ai tha se e kanë njoftuar edhe PSRK-ën.

“I kemi njoftuar me kohë PSRK-ën dhe kemi pritur mbi 1 muaj ditë që njëjta të reflekton dhe ta merr lëndën të bëjë një zgjidhje lidhur me këtë çështje dhe nuk kemi marrë përgjigje të tillë, sido që të jetë e kemi parë të arsyeshme na që sot ta caktojmë seancën e shqyrtimit fillestar dhe t’i dërgojmë ftesë. Prokurorisë Speciale së bashku me ftesën gjykata e ka njoftu edhe me aktakuzën edhe me vendimin e Gjykatës së Apelit, mirëpo siç shihet nuk kanë marrë pjesë ata sot, arsyet nuk i dimë pse nuk kanë marrë pjesë, sido që të jetë sot nuk ka kushte që të vazhdohet me shqyrtimin fillestar”, tha tutje gjykatësi Shala.

Ndërsa, për seancën e radhës, ai tha se PSRK-ja do të ftohet përsëri me ftesë të rregullt, por njëkohësisht do të njoftohet edhe Kryeprokurori i PSRK-së lidhur me seancën e radhës dhe dështimin e kësaj seance.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.

Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikes Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.

Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.

Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet. Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.

(Kosova Sot Online )