Osmani: Policët e rënë në detyrë janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin e vendit, Enver Zymeri dhe të gjithë policët e rënë në detyrë, transmeton "Kosova Sot Online".
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Presidenca, Osmani ka thënë se guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i Zymerit dhe kolegëve të tij të rënë në detyrë ndër vite, janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe.
Sipas saj, ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë.
“Trembëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymeri ra në krye të detyrës në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, për të cilën gjë i përkulemi sot e përjetësisht.
Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe kolegëve të rënë në detyrë janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe.
Trashëgimia e tyre është testament i ndershmërisë, qëndrueshmërisë dhe patriotizmit.
Në këtë ditë, i kujtojmë edhe të gjithë policët e rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës.
Ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.
(Kosova Sot Online)