Lexoni edhe:
Kryeparlamentari Konjufca reagon pas dorëheqjes së Lindita Nikollës: Kishim raporte të shkëlqyera, me qasjen e saj e bëri obligim bashkëpunimin ndërmjet dy Kuvendeve
Në Shqipëri me shume se 64 mije persona jetojne te vetmuar për shkak të emigracionit të femijeve ose braktisjes prej tyre. Në disa prej bashkive te vendit jane ngritur 6 qendra rezidenciale publike si dhe disa qendra private për trajtimin e personave te vetmuar, por kerkesat janë më të mëdha, transmeton "Kosova Sot Online ".
Mes 65 të moshuarve, që strehohen në Shtëpinë e të Moshuarve në qytetin e Shkodrës, është edhe Hedije Çaushi. E vetmuar dhe pa mbështetje, në moshën 82 vjeçare ajo u detyrua t’i drejtohej Shërbimit Social Shtetëror për t’u vendosur në një nga qendrat për të moshuarit.
“Mbeta krejt e vetme, sepse nuk kam fëmijë. Kisha dy motrat afër, por ato ikën jashtë shtetit, në emigracion dhe unë mbeta krejt e vetme. Vjen një moshë që nuk mund ta përballosh të jetosh e vetme”.
Lekë Preçi ka ardhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër nga Bashkia e Kurbinit. Jeta e tij është gjithë vuajtje dhe mundim. Por, në pleqëri ai mbeti i vetmuar dhe e e kishte të pamundur të përballonte i vetëm vështirësitë e jetës pasi 5 fëmijët e tij zgjodhën emigracionin për një jetë më të mirë dhe u shpërndanë, siç thotë ai, në 5 shtete të botës.
“Shkuan në Amerikë, Itali, Gjermani, Zvicër dhe Norvegji. Janë martuar, kanë rrugët e veta. Vijnë ndonjëherë, rrallë. Nuk vijnë për mua asnjëherë se unë kam kushte të shkëlqyera këtu në Shtëpinë e të Moshuarve. Unë kam bërë zgjedhjen time dhe ata të tyren. Por jemi ndarë së gjalli. Ka humbur jeta familjare. Dhe duke ndejtë të ndarë humbet edhe respekti. Lindin fëmijët e tyre dhe nuk kanë asnjë ndjenjë, as nuk vijnë ndonjë herë këtu. Kjo është e tmerrshme”.
Shtëpia e të Moshuarve në qytetin e Shkodrës është më e madhja në Shqipëri. Në një ndërtesë të rikonstruktuar, të moshuarit kanë dhomat e tyre, shërbimin mjekësor, atë të higjenës, ushqimit dhe argëtimit. Pavarësisht problemeve me të cilat të moshuarit janë përballur në jetët e tyre, Hedije Çaushi thotë se në Shtëpinë e të Moshuarve ndjehen si në familje, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin.
“I kemi të gjitha kushtet, dhomën, celularët, televizor, mjedisin e pastër, shoqëri. Kemi variacione mjaft. Dalim jashtë kur kemi nevojë, na argëtojnë”.
Në Shqipëri janë ngritur 6 qendra publike për të moshuarit; në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan. Dy prej tyre trajtohen nga Shërbimi Social Shtetëror dhe 4 të tjerat nga bashkitë. Por ka edhe një numër qendrash private për trajtimin e të moshuarve.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Shqipëri më shumë se 64 mijë persona të moshës mbi 60 vjeç jetojnë të vetmuar, ndërkohë që në 6 qendrat publike për të moshuarit trajtohen vetëm 310 të moshuar, numër ky i vogël përballë kërkesës në rritje të të moshuarve për tu trajtuar në këto qendra.
Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër është më e madhja në Shqipëri. Sipas drejtorit Fatjon Hoxha këtu trajtohen 65 të moshuar që vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga zona veriore, ku edhe kushtet e jetesës janë më të vështira. Synimi i qendrës, shton ai, është tu krijojë të moshuarve kushte sa më të mira për t’ua lehtësuar dhimbjet e jetës dhe sëmundjeve kronike, pasi vetmia dhe braktisja ka lënë gjurmë në jetën e tyre.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është emigracioni. Fëmijët janë larguar, kanë marrë rrugët e emigrimit, kanë krijuar një jetë të re në emigracion dhe e kanë të vështirë të kthehen. Disa kanë provu t’i marrin edhe prindërit me vete, por shprehen se është e vështirë të përshtaten atje. Edhe shumë prej të moshuarve shprehen vetë se nuk mund të rrijnë atje, jashtë Shqipërisë, se nuk e përballojnë nga ana psikologjike, pasi më mirë ndihen këtu, me njerëzit e tyre, me njëri-tjetrin. Këtu, në Shtëpinë e të Moshuarve i kanë të gjitha shërbimet dhe nuk ju mungon asgjë”.
Përballë rritjes së numrit të personave të vetmuar apo të braktisur është shtuar edhe kërkesa për zgjerimin e qendrave të kujdesit për ta, por edhe rritjes së nivelit të shërbimeve në këto qendra.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2023 numri i të moshuarve në qendrat rezidenciale ku trajtohen të moshuarit varion nga 40-60, por struktura e këtyre institucioneve nuk siguron numrin e nevojshëm të personelit në përputhje me nevojat e tyre, pasi në shumicën e këtyre qendrave nuk plotësohet standardi i raportit 1 kujdestar për 5 të moshuar.
(Kosova Sot Online )