BE nuk njeh fitoren e Maduros të cilin e uroi vetëm Serbia, Kina e Rusia

  • s.a /
  • 31 July 2024 - 13:42
BE nuk njeh fitoren e Maduros të cilin e uroi vetëm Serbia, Kina e Rusia

Vazhdojnë protestat në kryeqytetin e Venezuelës për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Karakas në shenjë mbështetje të opozitës dhe kundër fitores së Nikolas Maduros.

Shumë prej tyre thonë se nuk do të ndalojnë derisa të ketë një qeveri të re, ndërsa disa të tjerë kërkojnë që ushtria dhe forcat e policisë t’u bashkohen protestuesve. Megjithatë efektivët e sigurisë deri më tani i kanë qëndruar besnik presidentit Maduro dhe kanë qëlluar me gaz lotsjellës dhe plumba gome në drejtim të manifestuesve.

Autoritetet njoftojnë se më shumë se 750 persona janë arrestuar. Dy Organizata joqeveritare në Venezuelë thonë se disa njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur nga përleshjet mes protestuesve dhe policisë.

Ministri i Mbrojtjes në shtetin e Amerikës Latine i konsideroi protestat një grusht shteti. Maduro pretendon fitoren e zgjedhjeve presidenciale, të shpallur edhe nga Komiteti Zgjedhor, por opozita thotë se triumfoi me mbi 70% të votave.

Pas dyshimeve të ngritura nga Uashingtoni, edhe Bashkimi Europian ka konfirmuar se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë.

Ndërsa një pjesë e njerëzve protestojnë ashpër se dyshojnë për fitoren zgjedhore të Nicolas Maduro, presidenti aktual i Venezuelës falënderoi shtetarët që ishin të parët që e uruan atë për rezultatin zgjedhor. Mes tyre janë Aleksandar Vuçiq, Vladimir Putin, Xi Jinping, përfaqësues të Iranit dhe Guinea-Bissau.

“I shpreh mirënjohjen time Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fjalët e tij emocionale të mbështetjes, respektit dhe urimeve të mira për atdheun tonë, i cili po ecën drejt një të ardhmeje të rritjes, paqes dhe qetësisë. Ne do të vazhdojmë punën tonë të vazhdueshme për të mirën e popullit tonë”, shkroi Nicolas Maduro në X.

Në dokumentin që ai ka shtuar në njoftimin e tij, të cilin Vuçiq e ka nënshkruar më 29 korrik, thuhet:

“Shkëlqesia juaj, dua t’ju dërgoj urimet e mia për fitoren tuaj në zgjedhje. Kohët në të cilat jetojmë sigurisht nuk janë të lehta dhe ju uroj suksese në përpjekjet dhe sfidat tuaja profesionale në udhëheqjen e Republikës Bolivariane të Venezuelës. Më lejoni të theksoj se sa i kënaqur jam me bashkëpunimin tonë, veçanërisht komunikimin tonë të drejtpërdrejtë, sepse kam mësuar shumë nga biseda jonë telefonike, kur patëm një shkëmbim mjaft të frytshëm. Ne vlerësojmë shumë respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare në Venezuelë, Kartës së OKB-së, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe rrjedhimisht integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë. Gjej rastin t’ju dërgoj ju, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia, si dhe përshëndetjet e mia të ngrohta dhe garancitë e respektit tim më të lartë”.

Maduro falënderoi gjithashtu Xi Jinping dhe popullin e Republikës Popullore të Kinës, Republikës Islamike të Iranit, presidentin e Guinea-Bissau Oumar Sissoko Embal, si dhe Vladimir Putin, duke shtuar se “popujt e Venezuelës dhe Rusisë janë të bashkuar në vëllazëri”.

(Kosova sot Online )