
Nis takimi i Osmanit me krerët e partive, VV nuk e çon askënd

Pavarësisht se e konfirmuan pjesëmarrjen, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shkuar në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Takimi i cili tashmë ka filluar, është thirrur për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta vitin tjetër.
Në takim janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Mimoza Kusari-Lila përfaqëson partinë Alternativa, kurse Faton Peci udhëheq “Listën GUXO”.
Nga Lëvizja Vetëvendosje në takimin e ftuar për liderë të partive u paralajmërua se do të shkojë nënkryetari Glauk Konjufca, por që ai nuk u paraqit në sallë.
Në ftesën që presidentja u ka dërguar liderëve partiakë është paraparë që zgjedhjet të mbahen mes datave 26 janar dhe 16 shkurt të vitit 2025.
Pas takimit, Osmani do të mbajë konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021 kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.
(Kosova Sot Online)