Lexoni edhe:
Sot kryesisht mot me diell dhe vranësira të pakta
Jo të gjitha partitë morën pjesë dje në takimin e thirrur nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Liderët e partive politike në Kosovë u mblodhën për të diskutuar datën e zgjedhjeve parlamentare.
Të pranishëm në takim nuk ishte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Listës serbe.
Pas takimit me presidenten Osmani janë deklaruar krerët e opozitës, të cilët kanë propozuar datën e njëjtë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Sot kryesisht mot me diell dhe vranësira të paktaLexoni edhe:
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka treguar se në takimin me presidenten Osmani ka propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta nacionale në Kosovë.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme.
“Prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka thënë Krasniqi.
E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një deklaratë pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.
Ai tha se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të filluara nga 26 korriku, ku janë të përfshira 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.
Abdixhiku shprehu shqetësimin se përpjekjet për shpërbërjen e Kuvendit dhe shmangien e përgjegjësisë nga Qeveria janë të panevojshme dhe të dëmshme, veçanërisht në këtë moment kritik për vendin.
Në takim nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.
Në përputhje me afatet kushtetuese, Abdixhiku propozoi datën 26 janar 2025 si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një Qeverie të re që do të parandalojë zhbërjen e shtetit dhe do të rikthejë orientimin pro-perëndimor, si dhe do të fokusoheshin në zhvillimin dhe mirëqenien qytetare.
“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë dhe rikthim tek qytetari, ato na vijnë në një moment kritik për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, tha Abdixhiku.
Lidhur me takimin me presidenten Osmani ka shkruar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se shpreson që Osmani ta përfillë kërkesën e partive parlamentare për mbajtjen e zgjedhjeve me 26 janar
Ai tha se kjo datë përfaqëson opsionin e parë në përputhje me afatet ligjore për organizimin e zgjedhjeve.
Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari- Lila ka shkruar në Facebook për takimin e mbajtur me presidenten, Vjosa Osmani, ku u diskutua lidhur me datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në vend.
Kusari- Lila ka thënë se nuk pajtohet me opozitën që zgjedhjet të mbahen më 26 janar. Ajo ka propozuar dy data të tjera, 9 dhe 16 shkurt.
E Lëvizjes Vetëvendosje nuk i kanë pëlqyer propozimet e partive opozitare që zgjedhjet të mbahen më 26 janar. Dejona Mihali Koordinatorja e Komiteteve të kësaj partie, tha se opozita dëshiron që të fushata zgjedhore të fillojë më 24 dhjetor, një ditë para krishtlindjeve.
Sipas saj, liderët e partive opozitare e kanë analizuar gjatë dhe kanë dalë me konkluzion që fushata më e mirë është për pushime të vitit të ri.
“Interesant çfarë opozite. Po dëshirojnë të fillojnë fushatë zgjedhore me 24 dhjetor.
Një ditë para krishtlindjeve. Dy javë para vitit të ri të bëjnë fushatë. E me 26 janar të jenë zgjedhjet. Me siguri shumë ekspertë e profesorë që kanë brenda e jashtë kryetarët aktual e kanë analizuar gjatë këtë temë. Dhe kanë dalë në konkluzion që fushata më e mirë është për pushime të vitit të ri.
Kjo është pikërisht një nga ato temat që më mirë kur i thotë Vlora Çitaku dhe Hykmete Bajrami. Nejse edhe Ramush Haradinaj se dhe AAK e ka këtë kur kanë me thënë nga ato gjërat që skuqen të gjithë nga turpi”, shkroi Mihali në Facebook.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.
(Kosova Sot Online )