Lexoni edhe:
Sot diplomon gjenerata e 60-të e policisë
Presidentja Vjosa Osmani është përfshirë në një incident me pjesëtarët e sigurimit në Aeroportin e Shkupit, prej ku planifikonte të udhëtonte për diku nëpërmjet Zonës VIP. Sipas Presidencës, Osmani u provokua dhe u tentua që t’i merrej telefoni dhe bagazhi për t’iu kontrolluar në skaner, transmeton "Kosova Sot Online ".
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se bagazhi megjithatë u skanua. Aeroporti i Shkupit ka bërë një reagim, pa ia përmendur emrin Presidentes, duke thënë se e kanë obligim ta kontrollojnë secilin pasagjer. Nga MPJD e kanë quajtur këtë trajtim jo dinjitoz, derisa kanë thënë se po mbledhin informata nga Ambasada e Maqedonisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Presidentes Vjosa Osmani është përballur me një situatë të paprecedentë dje në Aeroportin e Shkupit. Bekim Kupina, Këshilltar për Media në presidencë, ka deklaruar Gazetën Express se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes, gjë të cilën nuk e ka lejuar Osmani.
Sipas Kupinës, sigurimi më pas ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten dhe se pastaj ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.
Sot diplomon gjenerata e 60-të e policisëLexoni edhe:
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, tha Kupina.
Megjithatë, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, tha Kupina.
Kupina deklaroi se sjellja e sigurimit ishte e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur askund tjetër ndaj presidentes Osmani, përveç në Aeroportin e Shkupit.
“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”.
Ai tha se presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, “të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”.
Më pas, kabinetit të presidentës i është dashur të kontaktojë në Slloveni sepse Aeroporti i Shkupit ka deklaruar se nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen. Por kjo gjë u mohua nga sllovenët.
“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, tha Kupina .
Për rastin, u deklarua edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se një nga pjesëtarët e sigurimit të Presidentes ka ndërhyrë me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
Në reagim thuhet edhe se një person nga sigurimi i Gashit dhe dy policë kanë filluar të kërcënojnë punëtorët e TAV.
“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB të Maqedonisë.
Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka mohuar përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incident.
Në njoftimin e tyre thuhet se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.
Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz”, thuhet në njoftim.
Për rastin foli mbrëmë në Pressing edhe Astrit Iseni, zv.ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se po presin nga organet e hetuesisë që të dalin me informata të sakta.
“Të punësuarit në MPB kanë dalë në ngjarje janë duke e përcjellë situatën janë në komunikim me prokurorin që ka qenë i angazhuar. Për peridhë të shkurtë kohore hetuesit së bashku me prokurorin do ta bëjnë punën e vetë. Më së miri është të presim hetuesit së bashku me prokurorin ta japin verdiktin final”, tha Iseni.
Aeroporti i Shkupit u deklarua për incidentin, por pa i përmendur emrin Presidentes. Në reagimin e tyre thanë se kanë obligim ligjor që të kryejnë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti Sveti Apostol Pavle Ohër, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.
“Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP. Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti. Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se është plotësisht e rreme se është cenuar siguria e udhëtarëve”, kanë deklaruar nga TAV.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar e shqetësuar për këtë incident dhe me trajtimin jodinjitoz të Presidentes.
MPJD ka thënë se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
“MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tone”, u tha në reagim.
(Kosova Sot Online )