
Haxhiu jep detaje: Vdekja e të riut kosovar erdhi nga neglizhenca e SHSKUK-së

Sot ka ndërruar jetë Jetart Berisha, viktima e dytë e tentimvrasjes së para disa muajve në Pejë. Ai ishte duke u trajtuar në QKUK pas plagëve që kishte marrë më 22 maj. Në këtë rast, të plagosur kishin mbetur edhe babai dhe vëllai i tij. Babai i tij vdiq para 2 muajsh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Për vdekjen e të riut, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka hedhur akuza për neglizhencë në drejtim të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) për vdekjen e tij.
“Vdekja e të riut Jetart Berisha erdhi pas një gjendje shëndetësore që kërkonte trajtim mjekësor profesional të avancuar dhe kjo nuk iu mundësua nga SHSKUK. SHSKUK dhe MIQ e neglizhoi trajtimin e Jetart Berishës! Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv – MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile”.
Ai tha se mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali sepse gjendja e tij kërkonte intervenim te avancuar mjekësor për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të Jetartit.
“Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë ‘se gjendja e tij është stabile’ Jetarti të ndërroi jetë?!Rasti i radhës për prokurori, për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Jetart Berishës. P.S. Sipas raporteve mjekësore të MIQ – SHSKUK, gjendja shëndetësore e Jetart Berishës ishte stabile dhe nuk planifikohej ndonjë intervenim dhe as nuk nënshkruanin për trajtim jashtë vendit”.
(Kosova Sot Online)