Deputeti i opozitës serbe: Aty ku Vuçiqi dhe Shesheli kanë mbrojtur serbët, nuk ka më serbë

  • E.k /
  • 05 August 2024 - 14:11
Deputeti i opozitës serbe: Aty ku Vuçiqi dhe Shesheli kanë mbrojtur serbët, nuk ka më serbë

“Aleksandar Vuçiq dhe një pjesë e madhe e Partisë Radikale Serbe dhe Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit duhet të kërkojnë falje të thellë për gjithçka që kanë bërë në vitet e 90-ta, e çka rezultoi, ndër të tjera, me faktin se vendet ku Vuçiq dhe Vojisllav Shesheli kanë “mbrojtur” serbët – aty më nuk ka serbë”, ka thënë deputeti Vlladimir Pajiq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë me rastin e përvjetorit të “Stuhisë”.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a e ka përjetuar përkujtimin e “Stuhisë” në Loznicë si një lloj kundër tubimi për protesta kundër minierave të litiumit, ai tha se data siç është përkujtimi i “Stuhisë” duhet të qëndrojë më vete dhe nuk duhet të ketë lidhje me çfarëdo tjetër.

“Kjo është jashtëzakonisht e mjerë. Një datë aq e madhe sa shënimi i “Stuhisë” duhet të qëndrojë më vete – nuk duhet të lidhet me asgjë tjetër. Mendoj se përkujtimi i “Stuhisë” në Loznicë është organizuar, ndër të tjera, me qëllim që të krijohet njëfarë kohezioni të bazuar në nacionalizëm, që është jetëshkurtër dhe që nuk i kushtohet viktimave të “Stuhisë”. Unë mendoj se Vuçiqi dhe një pjesë e madhe e Partisë Radikale Serbe dhe Partisë Socialiste Serbe detyrohen një kërkim falje të thellë për gjithçka që bënë në vitet e 90-ta, gjë që, ndër të tjera, rezultoi me faktin se vendet ku Aleksandar Vuçiqi dhe Vojisllav Shesheli “mbronin” serbët – atje më nuk ka serbë”, ka deklaruar për N1 Vlladimir Pajiq.

(Kosova Sot Online)