Detaje nga operacioni policor në veri

  • A.P /
  • 05 August 2024 - 17:17
Detaje nga operacioni policor në veri

Policia po e zhvillon një operacion në veri të vendit, sipas informacioneve nga ARKEP se atje po operojnë posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë. Nëntë prej tyre janë mbyllur; tri në Leposaviq, tri në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se “informacioni ka rezultuar të jetë i saktë”.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës. Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës”, tha Policia në një njoftim të mëhershëm.

“Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale”, thuhet tutje në njoftim.

Të gjitha veprimet, Policia thotë se po realizohen “në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”.

(Kosova Sot Online)