Incidenti në Shkup, Presidenca lë të kuptohet se Osmanit iu kërkua edhe “full body scan”

  • G.g /
  • 06 August 2024 - 12:14
Incidenti në Shkup, Presidenca lë të kuptohet se Osmanit iu kërkua edhe “full body scan”

Presidenca e Kosovës është deklaruar edhe njëherë lidhur me incidentin me të cilin u përballë Presidentja Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, të enjten e kaluar.

Në reagimin e Presidencës është lënë të kuptohet se Osmanit i është kërkuar edhe “full body scan”, apo skanimi i tërë trupit.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm”, thuhet në reagim.

Nga ky institucion kanë thënë se raportet për këtë incident theksojnë se nuk kishte kërkesë për devijim apo anashkalim të rregullave.

“Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë”, thuhet tutje në reagim.

https://www.facebook.com/PresidencaRKS/posts/524894686865858?ref=embed_post

(Kosova Sot Online)