Serbët protestojnë sot në veri, Vuçiq propagandoi se mblidhen edhe shqiptarët, u demantua nga policia e Qeveria

  • s.a /
  • 07 August 2024 - 07:59
Serbët protestojnë sot në veri, Vuçiq propagandoi se mblidhen edhe shqiptarët, u demantua nga policia e Qeveria

Veton Elshani zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, i ka thënë se sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.

Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë dje për një “tubim madhështor”.

Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR’it që t’i mbrojë serbët.

Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.

“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në “X”, të martën se asnjë shqiptar nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në urën e ibrit”.

Madje, Vuçiq ka kërkuar nga KFOR’i që “të mbrojë serbët”.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi kreu i Qeverisë së Kosovës duke thënë se këto akuza të rreme shpesh janë parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia.

“Me akuza të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet”.

“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç ai pretendon në mënyrë të rreme. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë pasur për qëllim të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë një parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti. 

(Kosova Sot Online )