Përfundon protesta e serbëve në veri të Mitrovicës

  • s.a /
  • 07 August 2024 - 13:15
Përfundon protesta e serbëve në veri të Mitrovicës

Ka përfunduar protesta e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Mitrovicës të cilët kundërshtuan hapjen e Urës së Ibrit për trafik. Protesta ka përfunduar pas gati një ore, transmeton "Kosova Sot Online ".

Gjatë protestës ata “vendosën” me aklamacion kundër hapjes së Urës së Ibrit, ndërsa protestuesve iu ishte drejtuar ish-kreu i Gjykatës së Mitorvicës, Nikolla Kabashiq, i cili pushtetin e ri në Mitrovicë të Veriut të dalë nga zgjedhjet e fundit e ka quajtur si “administrim të detyrueshëm” dhe ka thënë se vendimet e marra duhet të anulohen.

Ai ka deklaruar se për çdo vendim “të dëmshëm” do të mblidhen dhe ta “miratojnë” kundërshtimin me aklamacion.

 “Sa herë që ata marrin vendime të dëmshme dhe kundër vullnetit të qytetarëve këtu, ne do të mblidhemi në të njëjtin vend dhe do të miratojmë me aklamacion se nuk pajtohemi me këtë”, ka thënë ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në protestë morën pjesë rreth 600 protestues.

(Kosova Sot Online )