Lexoni edhe:
Shanset për rrëzimin e Qeverisë po humbin, VV sërish do t’i marr 50% të votave
Që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës, kjo e fundit vazhdimisht ka kaluar kufirin për në Rusi: operativët e inteligjencës kryejnë operacione klandestine; dronët që shënjestrojnë bazat ajrore nga qindra kilometra larg dhe grupe jozyrtare të milicive që plaçkitin fshatrat kufitare, transmeton "Kosova Sot Online ".
Por, këtë herë është ndryshe.
Qindra trupa të unifirmuara ukrainase, të mbështetura nga autoblinda dhe pajisje të tjera të rënda, këtë javë hynë në rajonin rus të Kurskut, që gjendet në veri të qytetit ukrainas të Sumit. Deri më 9 gusht, trupat kanë marrë nën kontroll rreth 600 kilometra katrorë dhe dhjetëra vendbanime, sipas zyrtarëve lokalë, blogerëve proluftës dhe raporteve të inteligjencës.
Shanset për rrëzimin e Qeverisë po humbin, VV sërish do t’i marr 50% të votaveLexoni edhe:
Inkursioni i furishëm – më i madhi i kryer nga forcat ukrainase që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022 – vjen teksa trupat ukrainase po kanë vështirësi që të frenojnë avancimin rus në të paktën tri lokacione më në jug në mbarë vijën e frontit prej 1.100 kilometrash. Trupat ruse po i afrohen një autostrade të madhe në Donbas, marrja nën kontroll e së cilës do të kërcënonte linjat furnizuese ukrainase në mbarë vijën e frontit.
“Në përgjithësi, situata nuk është e mirë për forcat ukrainase”, tha Ivan Stupak, ekspert ukrainas i ushtrisë dhe ish-zyrtar i inteligjencës. Për Rusinë, “ideja kryesore është që të ndahen forcat e armatosura ukrainase në dy pjesë; ndaje armikun dhe tento t’i shkatërrosh ata një nga një, hap pas hapi. Në këtë mënyrë është më lehtë t’i shkatërrosh”.
Të hutuar? Ja si duket fushëbeteja gati 900 ditë pas nisjes së luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lajm i keq për Ukrainën
Në juglindje të qendrës logjistike të Pokrovskit, situata “është shumë më e rrezikshme” dhe “kritike”, sipas ekspertëve ushtarakë dhe analistët e pavarur. Mementumi u kthye në të mirë të Rusisë në prill, kur forcat e saj morën kontrollin e fshatit Oçeretjne, pas rotacionit të trupave ukrainase dhe disa raportimeve që thanë se dështoi dhe që atëherë, ata u zhvendosën në perëndim dhe veri.
Deri më 6 gusht, forcat ruse u raportua se ishin në lindje të periferisë së Vozdijzhenkës, një fshat që gjendet pesë kilometra larg nga autostrada, T-0504.
“Situata në qarkun e Pokrovskit është jashtëzakonisht e vështirë”, tha Qendra për Mbrojtje Strategjike, një institut në Kiev që udhëhiqet nga një ish-ministër ukrainas i Mbrojtjes.
Me të dalë nga Pokrovski gjendet një autostradë, e njohur si N23 apo T-0504, që shkon drejt lindjes dhe më pas në verilindje drejt Kostiantinivkës, një qytezë ku gjendet një kryqëzim hekurudhor që ka shërbyer si një linjë kritike për furnizimin e trupave ukrainase.
Rusia me ngulm dëshiron që ta marrë kontrollin e kësaj autostrade.
Nëse Rusia e merr këtë rrugë, që përdoret për të transportuar municione dhe furnizime, por edhe për të transportuar ushtarët e plagosur, kjo do të ishte një goditje e madhe për linjat e furnizimit të Ukrainës.
Kjo autostradë nuk është rruga e vetme e këtij seksioni të fushëbetejës, tha Stupak. Por, është rruga më e mirë: rrugët e tjera mund të jenë më të gjata, të pashtruara, që nënkupton se automjetet i përshkojnë ato me shpejtësi më të vogël. Dhe kur moti të fillojë vjeshta dhe shirat, balta legjendare e Ukrainës do t’i bëjë këto rrugë të pakalueshme.
“Nëse e marrin këtë rrugë, forcat ukrainase do të fillojnë të vuajnë”, tha ai.
A është kjo arsyeja e sulmit në Rusi?
Nëse nuk do të ketë ndryshime të mëdha në ditët dhe javët në vijim, Rusia do ta marrë autostradën, duke e dëmtuar edhe më shumë mbrojtjen e Ukrainës dhe duke e vendosur në një pozicion edhe më të pavolitshëm.
Kjo mund të jetë arsyeja se pse Ukraina ka vendosur ta pushtojë Rusinë.
“Nëse themi se ky inkursion në rajonin e Kurskut ka zënë në befasi shumë, përfshirë komandën ruse, është nënvlerësim”, tha një vëzhgues ushtarak ukrainas, i cili shkruan nën nofkën Tatarigami.
Në raportimet e tri ditëve të operacionit, zyrtarët ukrainas nuk thanë asgjë, përveç sugjerimeve se raportimet zyrtare ruse po e nënvlerësojnë në shkallë të madhe shkallën e operacionit. Më 8 gusht, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu bëri një aludim.
“Të gjithë mund ta shohin se ushtria ukrainase di si të befasojë dhe di si të arrijë rezultate”, tha ai.
Mykhaylo Podolyak, ndihmës i lartë i Zelenskyt, bëri një konfirmim më të qartë.
“Lufta është luftë, me rregullat e saj, ku agresori pashmangshëm korr rezultatet që i takojnë”, shkroi në Telegram ai.
Por, autoritet ruse, blogerët ushtarakë, zyrtarët lokalë dhe banorët kanë thënë se ka një numër të madh të forcave pushtuese, që me autoblinda dhe tanke po lëvizin shpejt, duke thyer mbrojtjen ruse dhe duke kaluar njësitë e rojeve kufitare. Analistët thanë se makinat e përfshira në operacion, përfshirë autoblindat Stryker, që Ukraina ka marrë nga Shtetet e Bashkuara lënë të kuptohet se operacioni po udhëhiqet nga Brigada e 22-të e Mekanizuar e Ukrainës. Kjo është një prej brigadave më të fuqishme sulmuese të Ukrainës.
Imazhet satelitore dhe raportimet nga Deep State, një organizatë që ka lidhje me ushtrinë ukrainase, sugjerojnë se trupat, në disa vende, kanë avancuar 90 kilometra larg nga kufiri. Blogerët ushtarakë rusë kanë folur për përparime të njëjta. Vlerësimet nga analistët rusë dhe ukrainas, deri më 9 gusht po ashtu thanë se territori i pushtuar varion nga 500 deri në 600 kilometra katror.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 7 gusht thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe ai hapi këtë mbledhje përmes një adresimi televiziv, duke e quajtur ofensivën “provokim të madh”. Komandanti i ushtrisë ruse, gjenerali Valery Gerasimov, tha se numri i ushtarëve ukrainas të përfshirë në ofensivë mund të jetë sa një batalion: deri në 1.000 persona.
Banorët e qytezës Sudzha, në rajonin kufitar Kursk, kanë publikuar video më 8 gusht, përmes së cilave kanë shprehur zemërimin e tyre. Ata kanë thënë se komandantët e tij ushtarakë po e mashtrojnë Putinin për shkallën e pushtimit.
“Këto gënjeshtra po i vrasin banorët tanë”, tha një grua. Komandantët ushtarakë “po iu thonë se situata është nën kontroll, por sot po zhvillohen beteja të mëdha” në këtë qark.
Qëllimi i këtij operacioni është i paqartë dhe analistët thanë se shanset për një sukses të madh taktik janë të vogla. Devijimi i një njësie, me përvojë dhe me madhësinë e një batalioni, nga vija e frontit për një inkursion të pasigurt është problematik: komandantët ukrainas nuk kanë rezerva të mëdha të fuqisë njerëzore apo të pajisjeve, prandaj njësitë përtej vijës në Donbas nuk kanë mundur të frenojnë avancimet ruse.
Ukraina o ashtu nuk e ka njoftuar furnizuesen e saj më të madhe të armëve, SHBA-në, para nisjes së këtij inkursioni.
Në qershor, përderisa forcat ruse shtypën një ofensivë ndërkufitare në verilindje të Harkivit, administrata amerikane zbuti politikën e saj dhe i dha dritën jeshile Ukrainës që të përdorte armatimin amerikan për të goditur shënjestra brenda Rusisë.
Pavarësisht se nuk e ka njoftuar paraprakisht, administrata amerikane nuk e vlerësoi inkursionin si shkelje të ndalesës amerikane, thanë disa zyrtarë amerikanë.
“Është në përputhje me politikën tonë dhe ne kemi mbështetur Ukrainën që nga fillimi që ajo të mbrojë veten ndaj sulmeve që vijnë përtej kufirit”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh më 8 gusht.
Kalimi i kanalit
Rreth 55 kilometra në verilindje të Pokrovskit, në anën tjetër të autostradës T-0504 është Kostiantinivka, e cila ka një hekurudhë që kalon në veriperëndim deri në Sllavjansk dhe Kramatorks, që janë qytete më të mëdha ku forcat ukrainase kanë spitale, qendra komanduese dhe infrastrukturë tjetër kritike.
Rusia dëshiron ta marrë Kostiantinivkën, por në mënyrë që ta pushtojë atë, forcat ruse fillimisht duhet ta marrin Çasiv Jarin, ku gjendet Kanali Siverski Donjeck-Donbas, që ndan qarkun kryesor të qytetit me qarkun Kanal, në lindje.
Trupat ruse në qershor pushtuan gjithë qarkun Kanal dhe tani po lëvizin drejt kanalit, që po shërben si mbrojtës natyral për ukrainasit. Në muajt e kaluar, grupe të vogla të ushtarëve rusë kanë tentuar ta kalojë kanalin dhe kanë vendosur pozicione në pjesën perëndimore. Njësi të tjera ruse po ashtu kanë tentuar ta kalojnë kanalin nga pjesa veriore dhe jugore.
“Rusët sulmojnë në grupe të vogla. Ata udhëtojnë me makina në grupe të vogla, kryejnë sulme dhe arrijnë në pozicionet tona pa u vërejtur”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Andriy Polukhin, zëdhënës i një brigade të ushtrisë ruse. “Por, për momentin kjo nuk qëndron. Trupat ruse nuk mund ta kalojnë kanalin”.
Serhiy Hrabskiy, kolonel në pension i ushtrisë ruse, tha se njësitë sulmuese ruse ende nuk kanë mbrojtjen e tankeve dhe artilerisë.
Për Ukrainën, “kjo taktikë është e lodhshme, por rusët po mund të bëjnë përparime me këtë taktik pasi kanë superioritet të numrave. Pyetja është se sa gjatë mund të vazhdojnë ata me këtë taktikë”, tha ai.
Nju Jork: Një qytet i ferrit
Në lindje të Pokrovskit, njësitë ruse kanë përparuar me sukses në vijën e frontit drejt Nju Jorkut. Më 7 gusht, blogerët ushtarakë rusë raportuan se trupat ruse kanë hyrë në një prej qarqeve të kësaj qyteze.
Ofensiva ruse në Nju Jork ka rritur presionin ndaj mbrojtjes ukrainase në veri, në qytetin Toretsk, ku trupat ruse gradualisht po ashtu po bëjnë përparim.
Nëse Toretsku bie në duart e Rusisë, atëherë Moska do të zgjeronte kontrollin në pjesën urbane të rajonit, përfshirë edhe qytetin rajonal, Donjeck, dhe vendet sikurse Horlivka, Makijivka dhe lokacione të tjera industriale, tha Hrabskiy.
Marrja e Toretskut nga Rusia po ashtu do të kërcënonte Kostiantinivkën, 22 kilometra më në veriperëndim.
“A do të shkaktonte një thyerje të të gjitha pozicioneve ukrainase? Jo, sepse ukrainasit kanë qenë në gjendje të ndërtojnë edhe vija të tjera mbrojtëse”, tha ai.
A e mobilizoi Ukraina popullatën e saj tani?
Numri i ushtarëve ka qenë një prej problemeve më të mëdha për Ukrainën. Përderisa Rusia ka mundur të mbushë radhët e saj me njësi të reja, kryesisht me vullnetarë që marrin rroga të majme dhe përfitime të tjera, Ukraina ishte më e ngadalshme në miratimin e ligjeve për ndryshimin e rregullave për mobilizim.
Me kalimin e ligjit në maj, rekrutuesit në Ukrainë mundën të nisnin trajnimin e rekrutëve. Disa njësi në vijën e frontit veçse kanë raportuar për pranimin e rekrutëve të rinj dhe Hrabskiy tha se fluksi më i madh i ushtarëve të rinj do të vërehet në mesin e muajit shtator.
“Të jem i sinqertë, jam i befasuar se si ushtarët tanë po mbajnë vijat e frontit. Ata janë të lodhur, nuk kanë shumë ushtarë e municione”, tha ai.
Ushtarët e rinj do të stabilizojnë vijën e frontit, tha Hrabskiy, por nisja e një kundërofensive të re – sikurse dy të suksesshme më 2022 dhe një e dështuar vitin e kaluar – ka pak të ngjarë që të ndodhë tani.
“Kam dyshime që forcat ukrainase do të mund të bëjnë ndonjë gjë deri në mesin e vitit 2025”, tha ai.
(Kosova Sot Online )