Varroset në fshatin e tij të lindjes, Faton Hajrizi, qindra qytetarë të pranishëm
Faton Hajrizi u varros sot në fshatin e tij të lindjes në Klinë të Ulët në Skënderaj, ku qindra qytetarë ishin të pranishëm për t'ia dhënë lamtumirën e fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Qindra njerëz u mblodhën atje për funeralin e 39 vjeçarit, në fshat rrugët kryesore të të cilit ishin stolisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj me logo të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shumë njerëz kishin ardhur edhe nga përtej Drenica për të marrë pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, i cili u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik. Një ditë më herët ai raportohej se e kishte vrarë një polic serb dhe e kishte plagosur një tjetër në qytetin e Lloznicës.
Me mbishkrime në bluza si “Liria ka Emër”, e dikush me flamurin kombëtar, shkuan për t’ia dhënë lamtumirën e fundit atij, pavarësisht se kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar që ai të mos madhërohet dhe që qytetarët “të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”.
Më 6 korrik ai ishte arratisur nga burgu i “tipit të hapur” në Smrekonicë të Vushtrrisë në masa të ulëta sigurie, ku po qëndronte muajt e fundit.
Vendndodhja e Hajrizit nuk dihej për rreth dy javë, deri kur u raportua për vrasjen e policit në Lloznicë të Serbisë.
Pas tri javësh, autoritetet serbe lejuan tërheqjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit dhe ai mbërriti në Kosovë në orët e para të së premtës.
Nëna e tij të shtunën konfirmoi identitetin e të birit, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore e kreu autopsinë.
(Kosova Sot Online)