Këto janë veprat penale për të cilat dyshohet Gëzim Gashi, në kërkim nga Policia e Kosovës

  • s.a /
  • 12 August 2024 - 07:56
Këto janë veprat penale  për të cilat dyshohet Gëzim Gashi, në kërkim nga Policia e Kosovës

Në vendimin e Gjykatës së Pejës për paraburgimin e Silver Qibinit, të arrestuarit për kultivimin e lëndëve narkotike në Klinë përmenden edhe veprat e të dyshuarit – Gzim Gashit, i cili së bashku me katër të tjerë më 11.08.2024 u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në aktvendimin e datës 11.08.2024 thuhet se është ngritur kallëzim penal ndaj Gashit për shkak të veprës penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës së kanabisit”.

Tutje thuhet se në raportin e oficerit R.P theksohet se i pandehuri Gzim është duke kultivuar narkotikë dhe se janë siguruar fotografi të parcelës së lokalizuar në të cilën dyshohet se është mbjell narkotikë.

Aty përmenden edhe raporti i intelegjencës dhe raporti informues lidhur me zbatimin e masës së fshehtë, në të cilin të pandehurit “bisedojnë për maska, për vizita në vendin e ngjarjes, për kultivimin e narkotikur dhe çështje të tjera”.

Në vendin e ngjarjes u arrestua Silver Qibini nga Tepelena e Shqipërisë, aty u gjetën 960 bimë narkotike të llojit marihuanë.

Më 11.08.2024 u caktua masa e paraburgimit prej 1 muaji për të arrestuarin Silver Qibini kurse Gzim Gashi dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia.

Tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë, Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim, si të dyshuar për plantacionin e kanabisit në Klinë.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në kërkim nën dyshimin se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Të dyshuarit janë Gzim Gashi; Faik Gashi dhe Selim Gashi, të tre nga Komuna e Klinës, si dhe Marglen Comani dhe Albion Kalemi, shtetas të Shqipërisë.

“Për informata lidhur me personat në kërkim mund të na njoftoni në:Telefon fiks dhe mobil: 192 ose 038 550 999, po ashtuTë gjitha thirrjet në numrin 080019999 janë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale.Ju mund të dërgoni informatat e juaja edhe në adresën elektronike [email protected]. Si dhe përmes Aplikacionit Lajmëro Policinë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

(Kosova Sot Online )