Temperaturat e larta, MSH paralajmëron se mund të marrë masa për kufizimin e orarit të punës
Ministria e Shëndetësisë ka apeluar qytetarët që gjatë ditëve kur temperaturat janë të larta, të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online ".
Në një postim në faqen zyrtare, MSH thotë se kjo thirrje bëhet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Po ashtu, kanë paralajmëruar se varësisht nga situata meteorologjike, nëse është e nevojshme MSH do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës.
“Të dashur qytetarë, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë, ju lutemi të ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për të mbrojtur shëndetin tuaj.
Në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike, nëse është e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online )