Kush po e pengon zbardhjen e rastit Dehari?

  • A.P /
  • 12 August 2024 - 16:50
Kush po e pengon zbardhjen e rastit Dehari?

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Përparim Gruda tha se Qeveria Kurti ka dorë në moszbardhjen e rastit të Astrit Deharit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një konferencë për media, Gruda e ka përmendur zhdukjen e mostrave të Deharit dhe djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Janë bërë më shumë se tri vite që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e Rastit Dehari, përkundër premtimeve për zbardhjen e tij sa ishin në opozitë. Përkundrazi, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes janë zhdukur e janë kthyer pjesërisht mostrat e Astrit Deharit dhe është djegur dy herë Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku ato ruheshin. Po ashtu, ka disa muaj që LVV po e pengon themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me zjarrin në Institut dhe humbjen e mostrave”, tha Gruda.

Ai ngriti disa pyetje lidhur me këto ngjarje, duke thënë se janë problemi themelor i pushtetit.

“Kush i zhduki mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush i ktheu mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush e dogji Institutin? Si ndodhi që mostrat e Deharit u zhdukën në mars të 2023-tës dhe po në atë muaj ndodhi zjarri i parë në Institut? Pas zjarrit të dytë u dogj sistemi i kamerave në IML dhe për katër ditë me radhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive ku mbahen mostrat e Deharit. Si është e mundur që pikërisht në këtë interval kohor 4 ditor të gjendeshin dhe të ktheheshin mostrat e Astrit Deharit në Institut? Cilat janë masat që janë marrë ndaj personave përgjegjës për monitorimin e kamerave dhe atyre që kanë çelësin për hyrje në Dhomën e Dëshmive në IML? Pse po e pengoni themelimin e Komisionit Hetimor për Rastin Dehari?”, pyeti Gruda.

Gruda tha se “njerëzit e këtij pushteti që po e pengojnë zbardhjen e tij” një ditë do të japin llogari para drejtësisë

“Po ashtu, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se ky rast nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se njerëzit e këtij pushteti që po e pengojnë zbardhjen e tij një ditë do të japin llogari para drejtësisë”, tha Gruda.

(Kosova Sot Online)