Qeveria insiston në hapje të Urës së Ibrit, KFOR do dialog politik dhe koordinim – Çka u tha pas takimit Kurti-Ulutas

  • s.a /
  • 14 August 2024 - 08:32
Qeveria insiston në hapje të Urës së Ibrit, KFOR do dialog politik dhe koordinim – Çka u tha pas takimit Kurti-Ulutas

Një takim midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, bëri të qartë qëndrimi i ndërkombëtarëve dhe atyre që kujdesën për sigurinë e Kosovës për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, transmeton "Kosova sot Online ".

Përderisa Kurti insiston se ura duhet të hapët sepse sipas tij është një gjë e drejt, është KFOR ai që po mendon të kundërtën.

Kurti do hapje, kurse KFOR insiston se çdo vendim për Urën e Ibrit duhet të merret me dialog politik dhe në mënyrë të koordinuar

Pas këtij takimi pati deklarata nga dyja palët. Nga ZKM u bë e ditur se kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja e siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

“Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve”.

“Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt”, thuhet në njoftim.

Komunikatë rreth takimit pati edhe nga KFOR, megjithatë në deklaratën e tyre nuk u përmend takimi me kryeministrin Kurti.

Aty u bë e qartë edhe njëherë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. KFOR thotë se të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë homologët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Njoftimi i plotë i KFOR-it:

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO riafirmon përkushtimin e tij të palëkundur për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, nën mandatin e tij të gjatë të OKB-së.

Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.

KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal.

Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë homologët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht.

KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja.

(Kosova Sot Online )