
IKSHPK thotë se në Kosovë s’ka raste me Linë e Majmunëve, tregon simptomat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dalë me njoftim pasi që OBSH shpalli Mpox (dikur e quajtur Lija e Majmunëve), emergjencë globale për shëndetin publik, përcjell “Kosova Sot Online”.
IKSHPK ka thënë se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë deri më tani me këtë sëmundje.
“MSh/IKSHPK njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës. Në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket mpox dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes”, thuhet në njoftim.
“Simptomat e Mpox zakonisht shfaqen 6-13 ditë (deri në 21 ditë) pas infektimit. Manifestimet klinike të sëmundjes përfshijnë: Simptoma të përgjithshme, febrile (ethe, dhimbje koke, të dridhura, dobësi fizike, ënjtje të nyjeve limfatike), Skuqje të dallueshme (papulë) në lëkurë dhe plagë në mukozën (p.sh. në gojë, hundë, fyt ose traktin tretës), Dhimbje shpine dhe dhimbje muskujsh”, ka njoftuar IKSHPK.
(Kosova Sot Online)