Niniq: Vuçiq po blen kohë, nuk i nevojiten provat nga Kosova kundër Radoiçiqit

  • E.k /
  • 16 August 2024 - 13:17
Niniq: Vuçiq po blen kohë, nuk i nevojiten provat nga Kosova kundër Radoiçiqit

Rasti i Millan Radoçiqit u aktualizua sërish pasi Serbia kohëve të fundit kërkoi nga Kosova që t’i ofrojë të gjitha provat e mbledhura nga autoritetet e Kosovës në rastin e konfliktit të armatosur në Banjskë. Prishtina zyrtare e refuzoi këtë kërkesë, duke iu referuar ligjeve të saj dhe faktit se edhe Beogradi zyrtar refuzoi ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë.

Avokati serb Ivan Niniq, ka vlerësuar se me lëvizje të tilla presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vetëm po i blen kohë vetes para ndërkombëtarëve, shkruan Nova.rs.

Aktualisht kundër Millan Radoiçiqit janë duke u zhvilluar dy procedura paralele lidhur me ngjarjet në Banjskë, njëra në Beograd dhe tjetra në Prishtinë. Millan Radoiçiq u arrestua, më pas u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd (PLP) dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur në liri. PLP në Beograd e ka shpallë Radoiçiqin të dyshuar për bashkim në kryerjen e veprës penale, armëmbajtje pa leje dhe vepër të rëndë penale kundër sigurisë së përgjithshme. Sado të rënda të tingëllojnë këto krime, Radoiçiqi të nesërmen u lirua për t’u mbrojtur në liri. Në anën tjetër prokuroria e Prishtinës e akuzon për terrorizëm.

Për gati një vit, hetimet e Beogradit nuk kanë lëvizur nga fillimi, pavarësisht presioneve të bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta në këtë këndvështrim duhet parë edhe kërkesën e autoriteteve gjyqësore serbe për ndihmë nga Kosova, shkruan Nova.rs.

Avokati nga Beogradi, Ivan Niniq, beson se në këtë mes është vetëm koha që regjimi në pushtet po përpiqet të blejë.

“Ne nuk e njohim Kosovën si shtet, kështu që ajo kërkesë nuk mund të ketë karakter të ndihmës juridike ndërkombëtare, por dërgohet përmes EULEX-it. Por, përgjigja e Prishtinës ishte e pritshme dhe vetëm i ‘bleu kohë’ Aleksandar Vuçiqit, që ai t’i thotë ndërkombëtarëve se “po bën diçka, por nuk mundet sepse autoritetet e Kosovës nuk duan të bashkëpunojnë”. Mirëpo, nëse do të kishte vullnet dhe dëshirë të vërtetë, Radoiçiqi mund të ndiqej penalisht në bazë të provave që shërbimet dhe policia serbe mund t’i kishin mbledhur edhe pa pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës”, shpjegon avokati Ivan Niniq.

Koha tani për tani është blerë, por mbetet pyetja se çfarë do të ndodhë me hetimet ndaj Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe njërit prej njerëzve më të fuqishëm në veri të Kosovës.

“Vuçiq duhet të peshojë mirë se çfarë do të bëjë me Radoiçiqin. Nga njëra anë, ka presion nga bashkësia ndërkombëtare që do të jetë edhe më e fortë, por nga ana tjetër, nuk ka gjasa që Vuçiqi të heqë dorë nga bashkëpunëtori i tij më i afërt, ‘vëllai’ i tij. Vuçiqi nuk i jep njerëzit e tij dhe nuk bën lëshime pa ndonjë shërbim kthimi dhe përfitime për veten e tij. Nuk përjashtohet se tregimi rreth Millan Radoiçiqit të “mbyllet” me ndonjë marrëveshje ku ai do të dënohej me ndonjë dënim me burg, por do të kompensohej mirë për këtë. Ai mbeti pa vilë në liqenin e Ujmanit, por mori një vilë në Dedinje, dhe kompanitë që kishte në pronësi morën shumë tenderë nga shteti dhe Radoiçiqit iu kompensua kështu aksioni në Banjskë, nëse ai e ka financuar. Për Vuçiqin, problemi është se ai dhe Radoiçiqi kanë marrë pjesë në shumë gjëra së bashku, kështu që nuk mund ta jap lehtë, dhe pyetja është nëse Radoiçiq, një milioner, do të pranonte të sakrifikohej dhe të shkojë në burg për një kompenzim”, ka thënë avokati serb Ivan Niniq.

(Kosova Sot Online)