SHBA: Rusia ka tërhequr disa njësi këmbësorie nga Ukraina

  • A.P /
  • 16 August 2024 - 15:34
SHBA: Rusia ka tërhequr disa njësi këmbësorie nga Ukraina

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha të enjten se Rusia kishte tërhequr një pjesë të trupave, duke përfshirë njësi të këmbësorisë, nga Ukraina dhe po i zhvendoste ato në Kursk, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por, Shtetet e Bashkuara nuk e dinin saktësisht se sa ushtarë rusë kanë lëvizur nga Ukraina lindore.

Megjithatë, një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk duket se Rusia ka lëvizur një numër të mjaftueshëm batalionesh të blinduara ose lloje të tjera të fuqisë luftarake nga vija e frontit në Ukrainë në drejtim të Kurskit dhe se Moskës do t’i duhet të zhvendosë më shumë trupa për të zmbrapsur forcat e Kievit atje.

Më parë të enjten, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se trupat e vendit të tij kishin marrë kontrollin e plotë të Sudzhës, qyteti më i madh rus që bie në duart e forcave të Ukrainës që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar më shumë se një jave më parë.

(Kosova Sot Online)