Ukraina: Kemi shkatërruar urën e dytë në rajonin e Kurskut

  • A.P /
  • 18 August 2024 - 12:35
Ukraina: Kemi shkatërruar urën e dytë në rajonin e Kurskut

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës tha se ura e dytë në rajonin rus të Kurskut është shkatërruar, teksa Kievi po tenton të dobësojë operacionet luftuese të Rusisë në këtë zonë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Minus edhe një urë”, shkroi në Telegram, komandanti i Forcave Ajrore, Mykola Oleschuk.

“Forcat Ajrore vazhdojnë ta privojnë armikun nga aftësitë e logjistikës përmes sulmeve precize ajrore, të cilat ndikojnë ndjeshëm në operacionet” sulmuese, tha ai më 18 gusht.

Më herët, blogerët rusë të luftës publikuan fotografi të një ure të dëmtuar mbi lumin Sejm, afër fshatit Zvane, në Kursk.

Moska ende nuk ka komentuar për këtë sulm.

Më 16 gusht, Ministria e Jashtme e Rusisë e akuzoi Ukrainën se ka përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, të prodhimit amerikan, për të shkatërruar një urë kyçe në qarkun Glushkov në rajonin e Kurskut. Gjatë, sulmit, sipas Rusisë u vranë “vullnetarë” që po ndihmojnë në evakuimin e civilëve.

Forcat ukrainase nisën një inkursion të befasishëm në rajonin e Kurskut më 6 gusht, duke ndryshuar dinamikën e luftës që ka nisur mbi dy vjet e gjysmë. Si pasojë e ofensivës ukrainase, 120.000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Sipas zyrtarëve rusë të sigurisë, shkatërrimi i urës më 16 gusht shkëputi një pjesë të qarkut Glushkov, duke ua bërë më të vështirë civilëve evakuimin nga rajoni.

Ndërkaq, ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksiy Makeyev, i bëri thirrje Berlinit që të mos ndalojë ndihmën për Kievin, mes raportimeve se Gjermania po planifikon që ta shkurtojë ndihmën për Ukrainën vitin e ardhshëm.

Në Rusi, copëzat e një droni të rrëzuar në rajonin jugperëndimor rus, Rostov, kanë shkaktuar zjarr në një objekt magazinimi të dizelit në orët e para të 18 gushtit, shkroi në Telegram guvernatori rajonal, Vasily Golubev.

Ai tha se njësitë e zjarrfikësve janë angazhuar për të shuar zjarrin në qarkun Proletarsk, duke shtuar se nuk ka viktima.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar pesë dronë ukrainas gjatë natës mbi Belgorod, Kursk dhe Rostov. Kievi rrallë komenton për raportimet për sulme me dronë.

Ndërkaq, kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha më 18 gusht se Rusia ka nisur raketën e tretë balistike kundër kryeqytetit ukrainas gjatë këtij muaji. Ai shtoi se forcat ruse kanë kryer edhe sulme me raketa lundruese ndaj Kievit.

Forcat Ajrore ukrainase thanë se në total kanë rrëzuar tetë dronë dhe pesë raketa mbi rajonet e Kievit, Sumit dhe Poltavës.

(Kosova Sot Online)