Zelensky thotë se po arrihen objektivat në Kursk

  • A.P /
  • 19 August 2024 - 14:00
Zelensky thotë se po arrihen objektivat në Kursk

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e vendit të tij janë “duke i arritur objektivat e tyre” në rajonin Kursk të Rusisë, ndërsa një ndihmës i Kremlinit ka thënë se Moska nuk është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një shkrim të publikuar të hënën në rrjetin “Telegram”, Zelensky gjithashtu tha se ka dëgjuar në raport nga komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, i cili ka thënë se më shumë ushtarë rusë janë kapur, raporton televizioni BBC.

Në anën tjetër, një ndihmës i praesidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk është e gatshme për të zhvilluar bisedime të paqes me Ukrainën.

Ndihmësi i politikës së jashtme, Yuri Ushakov, ish-ambasador, ka thënë se Rusia nuk do të tërhiqet nga propozimet e saj të mëhershme për paqe, por se sulmi ukrainas në rajonin Kursk nënkupton që mbajtja e bisedimeve të paqes për momentin do të ishte “jo e duhur”, sipas agjencisë “Reuters”.


Në qershor të këtij viti, Putini i kishte paraqitur kushtet e tij për armëpushim, duke thënë se Ukraina duhej t’i tërhiqte trupat nga territoret ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar.

Propozimi ishte hedhur poshtë nga Ukraina, që planin e kishte cilësuar “ultimatum si i Hitlerit” dhe ishte dënuar gjerësisht nga udhëheqësit evropianë gjatë një samiti të paqes në Gjenevë, ku Rusia nuk ishte e ftuar për të marrë pjesë.

Presidenti ukrainas ka thënë se vendi i tij nuk do të bisedojë me Moskën pa u tërhequr të gjitha forcat ruse nga territori ukrainas, përfshirë Krimenë, gadishull që ndodhet nën pushtimin rus që nga viti 2014.

(Kosova Sot Online)