Mustafa: Ura e Ibrit është shndërruar në një simbolikë të popullizmit parazgjedhor

  • A.P /
  • 19 August 2024 - 15:27
Mustafa:  Ura e Ibrit është shndërruar në një simbolikë të popullizmit parazgjedhor

Kryetari i nderit të LDK-së, Isa Mustafa, thotë se Ura e Ibrit është shndërruar në një simbolikë të popullizmit parazgjedhor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Nuk është se s’kemi shumë e shumë probleme më të mëdha për t’i zgjidhur dhe për të treguar efiçencën e qeverisë.

Retorika e qeverisë dhe e ndërkombëtarëve për këtë çështje është e frikshme. Të sjellësh SHBA-të në situatë të të thonë se nëse i rrezikoni ushtarët tanë, ne do t’i marrim të gjitha veprimet për t’i mbrojtur ata, nuk do koment. Kosova nga miku i ngushtë i shtetit që e çliroi dhe e bëri të pavarur, me këtë lidership u transformua në një vend që pretendon se rrezikon ushtarët amerikan dhe evropian. Ky është shërbimi më i madh që mund ti bëhet Serbisë dhe aleatëve të saj”, ka thënë Mustafa.

Më tutje, ish-kreu i LDK-së thotë se deklaratat e reja të BE-së se duhet të dialogohet në Bruksel për statusin e urës janë të pakuptimta dhe të pabauzuara.

“Deklaratat e reja të BE-së se duhet të dialogihet në Bruksel për statusin e urës janë të pakuptimta dhe të pabazuara. Kjo urë asnjëherë s’ka pasur “status” të veçantë, por ka pasur probleme. Problemi i urës është i zgjidhur me dialogun e vitit 2015 dhe 2016, si dhe me marrëveshjen me përfaqësuesit e BE-së dhe përfaqësuesit e serbeve të Kosovës për rrënimin e murit që u ekzekztua nga vet serbet pas disa orë bisedash në zyrën time në shkurt të vitit 2017. Kishte mbetur vetëm hapja dhe asgjë tjetër, në shtytje dhe bashkërendim të BE-së”, ka theksuar ai.

(Kosova Sot Online)