Kurti në Çikago, flet për arritjet e Qeverisë

  • A.P /
  • 19 August 2024 - 16:01
Kurti në Çikago, flet për arritjet e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e tij thotë se ai mbrëmë u takua me komunitetin shqiptar në Çikago. Atyre, siç thuhet në njoftim, iu foli për “arritjet e Qeverisë”.

“Në një bashkëbisedim të hapur dhe miqësor, kryeministri Kurti e prezantoi diasporën tonë atje me arritjet e Qeverisë përgjatë këtij mandati, dyfishimin e eksporteve vendore dhe investimeve të huaja, forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe objektivat tona të mëtejme për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës”, njoftoi ZKM.

“Ndër to, u veçua vëmendja në sektorë si teknologjia e informacionit, por edhe sektori i energjisë dhe tranzicioni drejt energjisë së ripërtërishme. U përmendën bursat për gratë dhe vajzat që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë); por edhe ankandi i parë i zhvilluar në vend për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në të cilin doli fitues një konzorcium me kompani nga Zvicra e Gjermania dhe diaspora jonë”, thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.

Kurti theksoi para tyre se “se progresi demokratik dhe ekonomik që ka njohur vendi ynë ka ndikuar në kthimin e Kosovës në një vend tërheqës për sjelljen e investimeve, e ku dhe diaspora jonë ka më shumë mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit”.

“Duke i falënderuar për takimin, bisedën dhe idetë e shkëmbyera, kryeministri Kurti theksoi se mërgata luan një rol të rëndësishëm në planet tona për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)